90-vjeçari që ka agjëruar 76 Ramazane, historia e Ali Toçës nga Labinoti

11 Mars 2026 | 20:36

90 vjeç dhe ende i përkushtuar ndaj besimit. Kjo është historia e Ali Toçës, një agjërues i moshuar nga Labinoti, jeta e të cilit është lidhur ngushtë me agjërimin gjatë muajit të Ramazanit.

Ai ka agjëruar plot 76 Ramazane gjatë jetës së tij. Pavarësisht moshës së thyer, edhe këtë vit Ali Toça vazhdon të mbajë agjërimin, duke e konsideruar atë si një nga gjërat më me vlerë që mund të bëjë. Për 90-vjeçarin, agjërimi nuk është vetëm një detyrim fetar, por një përkushtim që e shoqëron gjatë gjithë jetës.

Sinkron Ali Toça – Besimtar mysliman

“Agjërimin ne e filluam që të stërviteshim që të vegjël dhe prej asaj kohe e deri sot unë s’e kam lënë Ramazanin pa bërë, vetëm 3 vjet kur kam qenë ushtar. Që 12 vjeç, tani jam 90 vjeç. Tani po bëj 90, duhet edhe pak t’i bëj dhe e kemi agjëruar krejtësisht. Si fshat kemi qenë shumë të rregullt, kemi falur xhuma, kemi falur taravitë, kemi bërë Ramazan dhe edhe fëmijët e vegjël kanë bërë Ramazan këtu te ne.”- shprehet Ali Toça.

Toça dëshmon përkushtimin e tij ndaj besimit duke falur çdo xhuma dhe duke respektuar ritet fetare edhe në një moshë kaq të thyer.

Madje, as periudha e diktaturës nuk e ndaloi atë të praktikonte besimin, ndonëse në atë kohë duhej treguar shumë kujdes.

“Kur u ndalua, ka qenë në vitin 1967, e ndaloi Enver Hoxha. Si faleshit ju në atë kohë? Ne faleshim secili në shtëpitë tona. Edhe meqë u mbyll xhamia, vendosëm një pjesë burrash, 50–60 veta: ‘Po ku do vemi sot? Te Ali Toça të falim xhuma.’ Javën tjetër, kur ndaheshim, do vinim te filani, te tjetri, që të mos kapeshim sepse na hetonin. Na kapën pasi patëm falur nja 6–7 xhuma. Çfarë simbolizon për ty Ramazani? Vetvetiu njeriu duhet ta çmojë, jo se i ka thënë hoxha, por të kontrollojë veten e vet.”- shprehet Ali Toça.

Për Ali Toçën, agjërimi në këtë moshë nuk është vetëm çështje detyrimi fetar, por mbi të gjitha një ndjesi e thellë shpirtërore. Ai vjen nga një familje besimtarësh myslimanë, ku tradita e agjërimit është trashëguar brez pas brezi, nga stërgjyshërit te gjyshërit dhe prindërit e tij. Edhe sot, në moshën 90-vjeçare, Ali Toça vazhdon të mbajë gjallë këtë traditë familjare dhe besimin që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit

Më shumë se 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur 8...
14:04 | 11/07/2026

Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një monitorim të tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura...
13:54 | 11/07/2026

Video e dhunës ndaj adoleshentes, ekspertët ngrenë alarmin për bullizmin

Videoja e dhunës ndaj një adoleshenteje, e cila u bë virale në rrjetet sociale, ka rikthyer diskutimet mbi sjelljen agresive te të rinjtë. Ekspertët e...
17:26 | 10/07/2026