Kurti: S’bëjmë dot pa SHBA, Gjykata Speciale funksionon si një fantazmë

28 Prill 2020 | 19:04

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë intervistës për ‘Ilva Now’, foli dhe për marrëdhëniet me SHBA dhe BE si dhe me pozicionin e tij lidhur me funksionimin e Gjykatës Speciale. Z. Kurti u shpreh se është esenciale aleanca me SHBA dhe BE dhe se këto dy aleatë nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën. “BE dhe SHBA nuk kanë zëvendësim dhe nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën. Nuk bëjmë dot pa SHBA, pa SHBA nuk ka NATO. Jemi në Evropë dhe kombi shqiptar është komb Evropian. Jam kundër atyre evropianëve që janë kundër amerikanëve dhe po ashtu nuk i pëlqejë ata amerikanë që janë anti evropianë. BE dhe SHBA është projekti ynë i sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaroi ai.

I pyetur se nëse Presidenti Thaçi ka mbështetjen e SHBA dhe BE për të arritur një marrëveshje me Serbinë, pse nuk bëhet pjesë e delegacioni negociues, z. Kurti tha se, nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa pjesëmarrjen e VV-së. “Për besë nuk e di se si mund të bashkohem me një tren që ka ikur dhe nuk kam dashur të hipi ndonjëherë. Nuk ka marrëveshje në Kosovë pa VV, kundër VV. Është e pamundur kjo. Ndoshta në 2015 kanë mundur të bëjnë diçka por edhe atëherë nuk ia dilnin. Tani është e pamundur, SHBA dhe BE janë faktorë racionale të cilët e vlerësojnë gjendje në terren dhe në përputhje me të ndërmarrin hapat. Dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe mbrojnë interesa e tyre. Ambasadorin Grenell e kam kritikuar në emër të vlerave të SHBA. Ne si shqiptarë jemi patriotë sepse këtë patriotizëm e kemi mësuar nga perëndimi, e kemi mësuar nga SHBA dhe shtetet evropiane. Ne jemi shqiptarë edhe për shkak se perëndimi është i tillë, ku ne kemi kontribuar historikisht. Prandaj po e theksoj se unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë iniciativë për marrëveshje të shpejtë pikërisht për shkak se populli në Kosovë tash është edhe më i vendosur që ta përsërisë dhe ta rrisë mbështetjen për neve, krahasuar me 8 tetorin e 2019”, deklaroi. Kurti.

Lidhur me qëndrimin e tij për Gjykatën Speciale, ai tha se nuk mund të zhbëhet pasi është detyrim kushtetues, por e cilësoi atë si gjykatë fantazmë dhe të panevojshme.

Z. Kurti kur ishit në opozitë ju e keni kundërshtuar fort Gjykatën Speciale, sot çfarë mendoni për përpjekje për zhbërjen e saj që është një debat i viteve të fundit?

Nuk mund të zhbëhet Gjykata Speciale përderisa është bërë obiligim kushtetues i yni. Pra, Gjykata speciale është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, megjithëse mbi ⅔ e votave përmes një amendamenti të famshëm numër 24, dhe nuk mund të zhbëhet me ligj ajo që u bë me ndryshim Kushtetutë dhe kjo ndodhi me datën 3 gusht të vitit 2015, paçka se me 26 qershor të vitit 2015, i njëjti amendament nuk kishte kaluar. Ishte presidenti aktual i Kosovës, asokohe ministër i Jashtëm dhe Kryeministër që ua përdrodhi duart, veshët, ndokujt edhe mendjen nga deputetet e PD-së së Kosovës, dhe imponoi një gjykatë të tillë speciale, e cila për përshtypjen time funksionon më shumë nëpërmjet potencialitetit të saj sesa aktualitetit të saj, pra ajo është si një lloj fantazme, e cila komandantët e kthyer në politikan, jo të gjithë, vetëm ato të kthyer në politikanë, jo të gjithë veteranët, prej 20 mijë veteranëve të vërtetë sa i ka Kosova, as 1 përqind nuk janë në pushtet. Këta 1 përqind që janë në pushtet dalin në televizor shumë. Ndërkaq edhe të tjerët nuk i sheh kush kurrë dhe ata presin si raste sociale për asistencë nga shteti, që ta mirëmbajnë mbijetesën e mjerueshme.

Këta komandantë të kthyer në politikanë, qartazi janë disiplinuar nga Gjykata speciale ende pa vepruar ajo. Vetëm nëpërmjet kërcënimit se, do të ngrihen aktakuza. Pra paradoksalisht, Gjykata Speciale nuk e ka pasur shumë të nevojshme të veprojë, duke ekzistuar përderisa vepronte duke mos ekzistuar. Pra, ajo ishte si një lloj fantazme që disiplinonte komandantët e kthyer në politikanë, dhe në këtë mënyrë mirëbënte procese të padrejta negociatore me Serbinë dhe një lloj dëgjushmërie të asaj konjukture politike. Unë besoj që për gjithshka që ka ndodhur gjatë luftës dhe pas luftës ne kemi nevojë për gjykatën normale, nuk kemi nevojë edhe për një gjykatë tjetër speciale. Unë kam bindjen se kemi nevojë ta trajtojmë veten dhe të na trajtojnë të tjerët normalisht, jo specialisht, pra të përfundojë kjo epoka e speciales e të fillojë epoka e normales. Por, këtë nuk na e bëjnë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët mund të na ndihmojnë shumë me kushtin që në fillojmë, edhe ne udhëheqim. Pra ata mund të ndihmojnë. Mirëpo ndërkombëtarët nuk janë ata të cilët mund të na zëvendësojnë veten tonë, as kur vjen puna te drejtësia, ashtu siç nuk mund të na zevendësojnë as kur vjen puna tek zhvillimi.

Pra Gjykata Speciale duhet të vazhdojë misionini për të cilën është miratuar në Kushtetutë?

Unë u mundova të shpjegoj, se Gjykata Speciale nuk mund ta vazhdojë misionin sepse ne nuk e kemi parë atë. Janë me qindra luftëtarë të UçK-së që janë thirrur në biseda intervistuese në Hagë, dhe sot kur jemi në prag të pesë vjetorit të formimit të kësaj Gjykate Speciale, ne nuk kemi asnjë aktakuzë. Pra mungon transparenca, është një gjykatë fantazëm. Pra nuk mundesh as ta shthurësh, sepse nuk është. Ajo po funksionon shumë suksesshëm duke mos ekzistuar. është gjykatë “sui generis”. e cila e ka një këmbë jashtë Kosovës dhe një këmbë brenda Kosovës. Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam theksuar që kam nevojë të takohem me kokën, jo me njërën nga këmbët. Kjo gjykatë është gjykatë shumë e çuditshme dhe unë besoj se kjo gjykatë nuk e kalon Strazburgun, po të ishte Kosova anëtare e Këshillit të Evropës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren, Ilva Tare, aktivistja dhe gruaja e angazhuar, Linda Rama rrëfeu mbi karrierën e saj sfiduese, mënyrën si e ka...
22:36 | 18/06/2021

Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës

Aktivistja Linda Rama në një rrëfim ekskluziv për “Ilva Now” në Euronews Albania analizoi etapat në të cilat ka kaluar dialogu politik në Shqipëri, që...
22:13 | 18/06/2021

“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, aktivistja e shoqërisë civile dhe intelektualja e angazhuar, znj. Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e...
22:02 | 18/06/2021