Përditësime LIVE 3 mars: Dita e tetë e sulmit rus në Ukrainë

3 Mars 2022 | 00:40

Sot është dita e tetë e luftimeve në Ukrainë prej mëngjesit të 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak”.

Zhvillimet kryesore:  

  • Dialogu përfundon me dakordësi për hapjen e korridoreve humanitare, nuk ka marrëveshje përfundimtare
  • Zelensky kërkon dialog të drejtpërdrejt me Putin
  • Zelensky i bën thirrje NATO-s të dërgojë avionë luftarakë në ditën e tetë të luftimeve
  • Macron paralajmëron Putin se po bën “gabim serioz”, duke dërguar vendin drejt izolimit
  • Putin deklaron se pushtimi i Ukrainës po shkon sipas planit
  • Palët negociatore të Ukrainës dhe Rusisë nisin raundin e dytë të bisedimeve
  • Kherson, qyteti i parë nën kontrollin e rusëve, njofton rregulla të reja për qytetarët.

 

23:50 – Trupat bjelloruse kanë urdhër të hyjnë në Ukrainë, pretendon ushtria ukrainase

Ushtria e Ukrainës thotë se dyshon që trupat bjelloruse kanë marrë urdhër që të kalojnë kufirin për të luftuar kundër tyre.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës shkruan në Facebook se “komanda e njësisë ushtarake ka marrë urdhër të kalojë kufirin”.

Ukraina pretendon se Rusia po përdor Bjellorusinë për të lëshuar raketa drejt tyre.

Të hënën, Presidenti Lukashenko deklaroi se nuk do t’i bashkohej forcave ruse në pushtimin e Ukrainës.

23-38 – SHBA sanksionon 19 oligarkë të tjerë rus

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sërë masash të reja financiare kundër dhjetëra oligarkëve rusë.

Ndër emrat e njohur të cilët do të përjashtohen nga sistemi financiar amerikan janë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov dhe presidenti kompanisë së hidrokarbureve Nikolai Tokarev, të dy persona shumë të afërt të presidentit Vladimir Putin.

21:30 – Kryebashkiaku Khersonit apel të ndalen plaçkitjet

Kryetari i Bashkisë Kherson ka apeluar që të ndalen vjedhjet e rezervave ushqimore.

“Qyteti ka nevojë për ushqime, veçanërisht shtresat e pambrojtura të popullsisë. I bëj thirrje pronarëve të dyqaneve, qyteti është i gatshëm të marrë nën kontroll shpërndarjen e mallrave që kanë mbetur”, shkruan Kolykhaiev në Facebook.

Ai garanton se ushqimet do të dërgohen aty ku nevoja është më e madhe, në spitale, jetimore dhe familje me shumë fëmijë.

Qyteti në jug të Ukrainës është nën kontrollin e Rusisë, ndërsa banorët janë këshilluar të ndjekin rregulla të reja në mënyrë që të mos bien në duart e armikut.

18:43 – Përfundon raundi i dytë i bisedimeve

Ka përfunduar raundi i dytë i takimit dypalësh midis negociatorëve të Ukrainës dhe Rusisë. Këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak, deklaroi se është rënë dakord vetëm për krijimin e korridoreve humanitare dhe armëpushim të përkohshëm gjatë evakuimit të qytetarëve.

17:50 – Të paktën 22 viktima prej sulmeve ajrore në Chernihiv

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën nga granatimet e vazhdueshme në zonat të banuara nga civilët në qytetin verior Chernihiv, kanë konfirmuar shërbimet shtetërore të emergjencës (SES).

Chernihiv / Ukraine NOW

17:35Zelensky kërkon bisedim direkt me Putin

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se e vetmja mënyrë për të ndaluar luftën është “dialog i drejtpërdrejt me Putin”.

“Ne nuk po e sulmojmë Rusinë dhe nuk e kemi në plan ta sulmojmë. Çfarë kërkon nga ne? Hië dorë nga toka jonë”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp.

“Uluni me mua. Por jo 30 metra larg si me presidentin francez Emmanuel Macron”, duke iu referuar tavolinës së gjatë ku biseduan dy krerët e shteteve.

16:02 – Nisin bisedimet Ukrainë-Rusi

Këshilltari i presidentit të Ukrainës Mykhaylo Podolyakk konfirmon në Twitter se kanë nisur bisedimet me delegacionin rus në një zonë pranë kufirit ukrainas.

Ky është raundi i dytë i bisedimeve midis palëve. Takimi i parë zgjati rreth pesë orë, por pa rezultat.

Ai theksoi se në qendër të dialogut janë këto çështje:

  • Armëpushim i menjëhershëm
  • Ndërprerja e luftimeve
  • Korridore humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet e shkatërruara ose vazhdimisht të bombarduara

14:47 – Putin-Macron-it: Çarmatimi i Ukrainës do të arrihet

Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez Emmanuel Macron se qëllimet e operacionit të Rusisë në Ukrainë, çmilitarizimi i saj dhe statusi neutral, do të arrihen, njoftoi Kremlini.

Dy liderët zhvilluan një telefonatë 90 minuta të enjten.

13:54 – BE përsërit thirrjet për armëpushim

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.

Kryediplomati i BE-së Josep Borrell po qëndron në Moldavi, dhe po viziton qendrën e refugjatëve ukrainas.

“(Jam) i prekur nga historitë e njerëzve që janë detyruar të largohen nga Ukraina, teksa forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë civilët”, ka thënë diplomati i larë evropian.

12:57 – Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën që dënon Rusinë

Kuvendi i Kosovës ka dënuar ashpër agresionin e Rusisë në Ukrainë përmes një rezolute që u votua me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

12:54 – ‘Mos provokoni ushtarët rusë’, rregullat për të mos rënë në duart e armikut

Qyteti kyç i Kherson, në jug të Ukrainës është tashmë nën kontrollin e Rusisë, ndërsa banorët janë këshilluar të mos provokojnë ushtarët rusë.

12:36 – Nuk kemi kërkesa për strehim të ukrainasve në Shqipëri, thotë MEPJ

Ndërsa Kosova po planifikon të strehojë 20 gazetarë ukrainas, në Shqipëri ende nuk ka një kërkesë të tillë.

12:26 – Lufta në Ukrainë rrit me 20% çmimin e naftës në bursë

Në 23 shkurt, një ditë para pushtimit, një fuçi naftë u shit në bursë për 96 dollarë, ndërsa këtë të enjte arriti 116 dollarë.

12:19 – Kremlini: Admirojmë heroizmin e ushtarëve rusë

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka shprehur “dhimbje të madhe” për ushtarët rusë të vrarë gjatë pushtimit të Ukrainës.

11:37 – ‘Bombardimet s’kanë pushuar nga mesnata’, Zelensky-Putinit: Shko në shtëpi

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky përmes një video të publikuar të enjten, tha se mbrojtja e Ukrainës po reziston, por bombardimet nga Rusia nuk kanë pushuar që nga mesnata.

11:18 – Bullgaria dëbon 2 diplomatë të Rusisë

Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka njoftuar se do të dëbojë dy diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh.

10:46 – Lavrov krahason SHBA me Hitlerin: Lufta e Tretë Botërore do jetë bërthamore

Gjatë një konference shtypi në Moskë, Lavrov tha se SHBA po përpiqen t’u imponojnë rusëve pikëpamjen e tyre për të ardhmen e Evropës

10:40 – Thirrje për BE dhe NATO: Mbroni Ballkanin Perëndimor

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë në rrezik ndaj një sulmi të mundshëm nga Serbia.

Ky ka qenë mesazhi i dy ish-përfaqësuesve të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare, Christian Schiling dhe Valentin Inzko në letrën e dërguar presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

10:19 – Bombardohet Mariupol, kryebashkiaku: Nuk marrin dot as të plagosurit nga rrugët

Kryebashkiaku i qytetit përmes një video të publikuar në rrjetet sociale kërkon ndihmë teksa shprehet: “Nuk mundemi dot as të marrim të plagosurit nga rrugët, nga apartamentet, pasi bombardimet nuk pushojnë”.

10:11 – Protestë pro-ruse në Malin e Zi

Dhjetëra protestues me flamuj rusë, serbë dhe të ish-Bashkimit Sovjetik me parulla “Lutju zotit dhe qëndro Rusi” dhe “Serbët në Mal të Zi- Rusët në Ukrainë” u mblodhën para selisë së Parlamentit të Malit të Zi në mbrëmjen e së mërkurës në mbështetje të Rusisë.

09:34 – Atletët rusë dhe bjellorusë përjashtohen nga Lojërat Paralimpike Pekin 2022

Atletët nga Rusia dhe Bjellorusia janë përjashtuar nga pjesëmarrja në Lojërat Paralimpike Dimërore 2022 në Pekin, që do të fillojnë nesër.

09:24 – Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Suedisë

Katër avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Suedisë, njoftuan Forcat e Armatosura në Suedi të mërkurën.

08:35 – Nga fëmijët tek të moshuarit, vijojnë protestat në gjithë Rusinë

Protestat kundër luftës po vijojnë në gjithë Rusinë nga të gjitha grupmoshat.

07:38 – OKB: 1 milion refugjatë janë larguar nga Ukraina brenda një jave

Një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi në një postim në Twitter të mërkurën në mbrëmje.

07:13 – Trupat ruse marrin kontrollin e Kherson, thotë kryebashkiaku

Fillimisht u raportua se Kherson u pushtua. Më pas autoritetet ukrainase e përgënjeshtruan lajmin.

07:03 – Lufta Rusi-Ukrainë hyn në javën e dytë, si raportohet gjendja  

Tashmë ka kaluar një javë që nga nisja e sulmeve ruse në Ukrainë. E enjtja shënon ditën e tetë të luftës. Çfarë dimë deri tani? Klikoni këtu.

1:15 – Gjykata Ndërkombëtare Penale nis hetimet për krime lufte në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë tha të mërkurën së do të nisë menjëherë hetimet mbi pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Prokurori Karim A.A Khan tha përmes një deklarate se 39 shtete anëtare kanë kërkuar hetime për krime të mundshme lufte nga Rusia.

Ai tha se zyra e prokurorit ka gjetur “baza të arsyeshme për të besuar që janë kryer krime që bien nën juridiksionin e kësaj gjykate”.

12:50 – Raportohen disa shpërthime pranë stacionit të metrosë së Kievit

Mediat vendase kanë raportuar për katër shpërthime të ndryshme që nga mesnata, dy pranë qendrës dhe dy të tjera tek stacioni i metrosë.

12:22 – Tre viktima nga një sulm në Izium

Të paktën tre civilë janë vrarë pas bombardimeve në qytetin e Iziumit, në rajonin e Kharkivit, sipas zv-kryetarit të bashkisë, Volodymyr Matsokin.

12:21 – Punonjësja e OSBE vritet në një sulm në Kharkiv

Maryna Fenina, anëtare e Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, është vrarë më 1 mars pasi po i dërgonte ushqime familjes së saj në Kharkiv. OSBE ka dënuar aktet ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe bombardimet në zonat e civilëve.

23:58 – 38 shtete kërkojnë hetimin e Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë

Rusia është raportuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, duke përbërë referimin më të madh që është kryer ndonjëherë, deklaroi të mërkurën kryeministri britanik Boris Johnson.

22:30Macron: Europa duhet të paguajë çmimin për paqen, lirinë dhe demokracinë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar Rusinë dhe “gënjeshtrën” e saj se po lufton nazizmin në Ukrainë, teksa e ka cilësuar si “agresore”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Kemi një armik të ri”, Rama: Do përfshihen shkollat në parandalimin e zjarreve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë një kapitull të ri për Mbrojtjen Civile në vend, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Farkë, në...
10:09 | 04/10/2025

Droni rus godet një ndërtesë banimi në Kiev

Një dron rus ka goditur një ndërtesë banimi në Kiev mbrëmjen e së premtes, pak pasi ranë sirenat për të paralajmëruar sulme në kryeqytetin ukrainas...
09:42 | 26/10/2024

Rusia kryen një valë sulmesh ajrore ndaj Kievit, si reagoi mbrojtja ukrainase

Rusia ka kryer disa valë sulmesh me dronë që kanë shënjestruar Kievin mëngjesin e së hënës, teksa mbrojtja ajrore ukrainase tha se me sukses ka...
11:09 | 30/09/2024