Vlerësimi i qeverisjes vendore, qytetarët perceptojnë drejtim ‘disi më të keq’ nga bashkitë e mëdha
Perceptimi i përgjithshëm i qytetarëve rreth drejtimit të bashkive është se në 4 vitet e fundit ato janë qeverisur disi më mirë, megjithatë kjo vlen më shumë për bashkitë e vogla se sa të mëdhatë.
Ky është përfundimi i raportit të këtij viti të nxjerrë nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) dhe Human Development Promotion Center (HDPC) që shqyrton mirëqeverisjen në 4 dimensione: efektshmërinë menaxhuese, transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Në raportin e fundit IDRA dhe HDPC vërejnë se nga 61 bashki, 5 u vlerësuan me nivel të mirë, ndërsa ndryshe nga viti 2016 asnjë nuk mori vlerësim shumë të keq.
Megjithatë raporti vë në dukje se 7 bashkitë më të mëdha në vend patën përkeqësim të vlerësimit qytetar krahasuar me 4 vite më parë, ndërsa ndryshimi i perceptimit të përgjithshëm lidhej kryesisht me “përmirësimin e performancës së bashkive të vogla e të mesme në llogaridhënie”.
Vlerësimi i qeverisjes së 61 bashkive u bë përmes marrjes në pyetje të rreth 12 mijë qytetarëve (21 për qind e të cilëve të moshës 45-54 vjeç), ngritjes së fokus-grupeve me zyrtarë të bashkive, komuniteteve si dhe me analizimin e informacioneve dytësore rreth demografisë dhe ekonomisë.
Të dhënat e përftuara nga këto pyetësorë përkthehen më pas në sistem pikëzimi, ku 80-100 kategorizohet vlerësim “shumë i mirë”, 60-79 vlerësim “i mirë”, 40-59 vlerësim “mesatar”, 20-30 vlerësim “i keq” dhe 0-19 vlerësim “shumë i keq”.
Në vitin 2016 vlerësimi i përgjithshëm i qeverisjes vendore në Shqipëri ishte me 56 nga 100 pikë, ndërsa në vitin 2020 ky perceptim mblodhi 58 pikë.
IDRA dhe HDPC thonë se marzhi i gabimit për gjetjet është më pak se 1 për qind, ndërsa niveli i besueshmërisë 95 për qind.
Pas reformës administrative të vitit 2014, qeverisja vendore u nda në 61 bashki, të cilat përfshijnë 58 qytete, 369 njësi administrative dhe 2,998 fshatra.
Ndarë sipas numrit të popullsisë, tashmë ka 7 bashki të mëdha me mbi 100 mijë banorë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri, Vlora dhe Kamza.
Ka 12 bashki të mesme me 40 mijë – 100 mijë banorë: Lushnja, Korça, Lezha, Dibra, Pogradeci, Berati, Kruja, Kukësi, Kurbini, Maliqi, Kavaja dhe Gjirokastra.
Dhe më tej janë 42 bashki të vogla me më pak se 40 mijë banorë.
Nga vlerësimi i përgjithshëm rezulton se asnjë nga 7 bashkitë e mëdha, qoftë dhe Tirana, nuk është ndër “10 më të mirat”: Poliçani, Patosi, Skrapari, Dropulli, Roskoveci, Puka, Belshi, Kruja, Kolonja, Pogradeci.
“Bashkitë puna e të cilave është përmirësuar më shumë krahasuar me vitin 2016, janë Dropulli (+26 pikë), Belshi (+20 pikë), Mirëdita (+19 pikë) dhe Dibra (+19 pikë)” – thuhet në raport.
Ndërkohë bie në sy që Himara është bashkia e vlerësuar më keq me vetëm 41 pikë, teksa ndër 10 bashkitë më të dobëta ishin edhe: Klosi, Peqini, Këlcyra, Pusteci, Malësia e Madhe, Memaliaj, Devolli, Kavaja dhe Rrogozhina.
Në tërësi vlerësimi i ulët lidhej me mungesën e strukturave komunitare, angazhimit dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, apo dhe plane vendore jo të kënaqshme.
Cërriku, Vlora dhe Maliqi perceptohen si bashkitë më të korruptuara, ndërsa shumë bashki kritikohen për mungesën e një zyre për të dhënat statistikore.
Vlen të theksohet se shumica e popullsisë në zonat rurale (63 për qind) informohen pak ose aspak rreth projekteve apo veprimtarisë së bashkive, ndërkohë që në zonat urbane kjo shifër është disi më e ulët (47 për qind).
Shumica (67 për qind) i marrin informacionet kryesisht përmes televizioneve, ndërsa 8 për qind kanë si mjet parësor informimi rrjetet sociale.
Raporti vë gjithashtu në dukje faktin se qytetarët kanë perceptime të ndryshme krahasuar me zyrtarët e bashkive për sa i përket vlerësimit të platformave të pjesëmarrjes së qytetarëve.
“Zyrtarët e bashkisë deklarojnë se ka platforma efektive, ndërsa komunitetet shprehen se nuk ka të tilla platforma,” – thuhet në raportin e IDRA-s dhe HDPC-së ku Vlora e Tirana janë ndër qytetet që kanë dallimin më të madh të kësaj prirjeje.
Tirana e Fieri (me 97 pikë) vlerësohen nga qytetarët dhe zyrtarët si bashkitë me bashkëpunimin më të mirë me qeverinë, ndërsa Shkodra (me 15 pikë) vlerësohet si bashkia me bashkëpunimin më të dobët.
Interesant është fakti se, pavarësisht se është qyteti me buxhetin më të madh, Tirana nuk rezulton bashkia që ofron “kënaqësinë më të madhe në shërbime”. Tepelena, Poliçani, Roskoveci dhe Shijaku janë bashkitë që janë vlerësuar më shumë për këtë cilësim, ndërsa Durrësi, Kamza, Himara dhe Vora janë ndër 10 bashkitë më pak të vlerësuara për shërbimet dhe qasjen ndaj tyre.
Mirëmbajtja e rrugëve, pastrimi, furnizimi me ujë të pijshëm dhe ndihma ekonomike mbeten ndër kërkesat kryesore të qytetarëve nga qeverisja vendore, ndërsa ndër shërbimet e konsideruara me më pak përparësi janë strehimi dhe mbështetja sociale dhe mirëmbajtja e sistemit të ujitjes dhe kullimit.
Raporti IDRA-s dhe HDPC-së është pjesë e projektit STAR mundësuar falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, qeveritë e Italisë, Suedisë, Zvicrës, USAID, PNUD-it si dhe qeverisë shqiptare.
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet