Biba: Propozimi për reformimin e KQZ-së, ‘dezhavu’ në limitet e seriozitetit
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Denar Biba e konsideroi “dezhavu në limitet e seriozitetit” propozimin e opozitës për reformimin e Komisionit.
Në një intervistë për gazetaren Esmeralda Mulaj në Euronews Albania, Biba u shpreh se sa herë që ndërkombëtarët kërkojnë reforma efektive “në fund fare e gjithë përpjekja degradon te ndryshimi i KQZ-së”.
“Ndodhi në vitin 2012, kur u ndryshua i gjithë Komisioni, tashmë po ndodh edhe tani në vitin 2020. Raporti i OSBE/ODIHR-it, lë detyrë kryesore depolitizimin e të gjitha strukturave që menaxhojnë procesin zgjedhor, por të gjithë e dimë se ditën e zgjedhjeve vendimtare janë dy shtresat e tjera të administratës, komisionet e qendrave të votimit dhe komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, jo KQZ-ja,” – u shpreh Biba duke shtuar se “në pamundësi për të bërë atë që duhet bërë, bëhet ajo që është më e lehta dhe që nuk sjell asnjë efekt”.
Mazhoranca dhe opozita patën dakordësuar më 5 qershor në Këshillin Politik për një reformim të KQZ-së duke e bërë me 5 komisionerë dhe jo 7, siç është aktualisht. Por së fundmi opozita kundërshton mënyrën e përzgjedhjes së tyre duke propozuar tre faza: kontroll të kritereve të kandidatëve nga Avokati i Popullit, zgjedhje nga një komision përzgjedhës të balancuar dhe me 5 anëtarë (3 mazhoranca, 2 opozita) dhe më pas votimi në bllok i listës në Kuvend. Por ky propozim është hedhur poshtë nga mazhoranca me pretendimin se anashkalon Kuvendin nga kompetenca kryesore e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së.
I pyetur rreth perceptimit se çështjet dhe përplasjet e tilla politike po politizojnë gjithashtu edhe qytetarët, Biba ishte i një mendimi të kundërt.
Sipas anëtarit të KQZ-së fakti që qytetarët shqiptarë po shfaqin një prirje në rritje për të mos marrë pjesë në zgjedhje tregon se ata nuk janë dhe aq shumë të përfshirë në përplasjet politike duke nënkuptuar këtu që ata e kërkojnë dhe depolitizimin e administrimit të procesit.
“Një ditë duhet të fillojë depolitizimi, në mos në komplet komisionet, mund të fillojë në mënyrë të pjesshme me anëtarë të zgjedhur nga shoqëria ose nga nëpunësit publik apo struktura të tjera depolitike plus anëtarëve të tjerë të sugjeruar nga partitë politike, në mënyrë që të niset një moment i parë,” – u shpreh Biba duke kujtuar se 2020-ta është 30 vite pas rënies së diktaturës dhe sërish mbetet duke u diskutuar kjo çështje.
Biba kujtoi vitin 2011 pas zgjedhjeve vendore ku në rezultatin e Bashkisë Tiranë për të cilën kandidonin Edi Rama e Lulzim Basha, sipas tij. KQZ-ja luajti rol në proces “duke u implikuar personalisht në rezultat”.
“Në asnjë rast tjetër KQZ-ja nuk ka pasur ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve,” – këmbënguli anëtari i Komisionit duke shtuar se pavarësisht kërkesave të opozitës për të depolitizuar KQZ-në, sërish në fund, me formulën e propozuar nga opozita, ajo do të mbetet e ngjashme.
“Nëse deri dje anëtarët e KQZ-së janë munduar duke përdorur gjuhën juridike të ruajnë një velë në dukje si i pavarur, sot bie edhe kjo dukje dhe do kemi një Komision politik 3 qeveria, 2 opozita. Ishim mirë kur ishim keq,” – tha Biba duke pranuar se “pak a shumë” do të mbetet si aktualisht ku KQZ me 7 anëtarë ndahet, 4 nga qeveria dhe 3 nga opozita.
Lexoni gjithashtu:
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania