Ulja e tarifave, Migen Qiraxhi: Ministria ka mundësi, por nuk ka vullnet t’u përgjigjet interesave të studentëve

24 Qershor 2020 | 07:26

Mbi 8,000 studentë kanë kërkuar me peticion uljen e tarifës së studimit për shkak të pamundësive që krijoi pandemia për të zhvilluar mësim të rregullt. Ministria e Arsimit u është përgjigjur se për tarifat vendosin universitetet dhe kërkesat u duhen drejtuar atyre, mirëpo, Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare mendon se ministria ka mundësi për të vepruar, por nuk ka vullnet për t’iu përgjigjur interesave të studentëve.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai i tha gazetares Esmeralda Mulaj se ata i ishin drejtuar Ministrisë së Arsimit për faktin se ajo përfaqëson interesat e studentëve dhe ministrja Besa Shahini duhet t’i adresojë shqetësimet e tyre në organet më të larta të vendimmarrjes siç mund të jetë edhe Këshilli i Ministrave.

“Ministrja duhet t’i adresojë qeverisë problemet e komunitetit të studentëve, që vjen i rënduar nga papunësia prej rreth 5 muajsh të prindërve për shkak të pandemisë. Në një situatë të paqartë studentët janë munduar të mbajnë shtëpitë e tyre me qira në Tiranë, me pagesa edhe të kripura në disa raste, janë detyruar të paguajnë tarifa interneti për të ndjekur mësimin online, ndërsa tashmë janë të detyruar të paguajnë edhe taksi për të vajtur në provime për shkak të mungesës së transportit publik,” – tha Qiraxhi duke këmbëngulur se Ministria duhet të advokojë rivlerësimin e tarifës studentore për shkak të shpenzimet shtesë.

Sipas Qiraxhit, ministria ka mundësi ekzekutive për t’i ardhur në ndihmë me paketë ekonomike studentëve, dhe nga ana tjetër, përveç Universitetit të Tiranës, ajo kontrollon shumicën e bordeve të administrimit në universitete.

“Përmes kontrollit të këtyre bordeve, ministria mund të përfaqësonte vullnetin e mirë të saj, nëse do ta kishte një të tillë, për të eliminuar tarifat, por me përgjigjen e saj ministria justifikohet se me paktin për universitetin ka zgjidhur çështjen e tarifave, ku në fakt nuk është e vërtetë sepse për nivelin master ku tarifat shkojnë nga 500 deri në 2,000 euro nuk ka pasur zbritje të tillë dhe ata janë në vështirësi tashmë dhe plus kësaj nuk mund të përdoret një kontekst i kaluar në një kontekst të ri,” – analizoi Qiraxhi, i cili tha se tarifat e studentëve shkojnë vetëm për çështje shërbimi administrativ në universitete.

Sipas monitorimeve të Qëndresës Qytetare, shumica e pagesave të studentëve shkojnë për të paguar rojet e godinave, makinat, apo shërbimet e brendshme, shërbime që sipas Qiraxhit nuk janë përdorur këtë periudhë pandemie.

I pyetur nëse ka alternativë tjetër për ndërhyrje nga ministria pa prekur tarifën, Qiraxhi pranoi se mundësia ka qenë, por nuk është përdorur. Ai mori si shembull problemin e strehimit, që sipas tij ministria nuk parapriu asgjë për periudhën e shkëputjes së mësimit dhe krizës që erdhi.

“Sigurisht kriza është globale, por zgjidhjet janë kombëtare. Çdo qeveri po ndihmon studentët, por ne jemi në një situatë ku studentët nuk kanë marrë asnjë favor apo nuk po shihet si komunitet i dëmtuar dhe tashmë po tarifohet si biznes i madh,” – theksoi Qiraxhi teksa kujtoi se në periudhën e pandemisë ka pasur edhe cilësi më të ulët mësimdhënieje.

“Kjo është një sjellje gjobëvënëse nga universitetet dhe autoritetet e vendit, pasi në çdo subjekt ku marrim shërbim, në mungesë të shërbimit bëhet një rivlerësim,” – shtoi Qiraxhi duke e cilësuar përgjigjen e ministrisë si “një faqe e shkruar pa thënë asgjë”.

Organizimi i Qëndresës Qytetare i është drejtuar Komisionit parlamentar të Edukimit, organizimeve të tjera studentore dhe universiteteve për të parë për më tepër mundësi zgjidhjeje.  

 

Lexoni gjithashtu:

Ministria e Arsimit asnjë vendim për anulim të tarifës së studimit: Ky proces i takon universiteteve

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë

Ky është mesazhi që kanë shpërndarë në WhatsApp punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, për shkak se nuk përdorin rrjete sociale, kanë zgjedhur këtë...
12:48 | 04/06/2026

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026