‘Skenari Korean’ për Ukrainën – mundësi e artë apo thikë me dy presa?
Mundësia e një ‘skenari korean’ është prezantuar si një alternativë e mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, teksa ekspertë të ndryshëm kanë dalë në krah të saj dhe të tjerë janë shprehur kategorikisht kundër.
Skenari korean i referohet një armëpushimi që i ndaloi armiqësitë mes kombeve në vitin 1953, por realisht nuk ka pasur kurrë një traktat për t’i dhënë fund konfliktit midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.
Ndërsa gadishulli Korean u nda në Jugun demokratik dhe Veriun komunist, në Ukrainë shihet mundësia e ndarjes mes Ukrainës Perëndimore dhe asaj Lindore, pasi Rusia ka pikën e saj më të fortë në rajonin e Donbasit, ku shumica e popullsisë flasin rusisht.
Në një artikull në The Washington Post më 2 qershor, gazetari amerikan David Ignatius tha se Presidenti i SHBA Joe Biden e ka kuptuar tashmë se alternativa për ta zgjidhur këtë konflikt me bisedime diplomatike mund të mos jetë e mundshme, gjë që sipas gazetarit do ta shtyjë atë të fillojë “pazare të fshehta” me Rusinë.
Kjo pikëpamje është përforcuar edhe më tej gjatë konferencave në maj dhe qershor të mbajtura nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane që sinjalizojnë një ndryshim në tonin e debatit në Uashington për sa i përket luftës.
Ndërkohë, presidenti Biden përmblodhi qasjen e administratës së tij në një artikull për The New York Times më 31 maj me titullin, “Çfarë do dhe nuk do të bëjë Amerika në Ukrainë”.
Ndër të tjera, ai tha se qëllimi i Shteteve të Bashkuara ishte “një paqe e negociuar”.
Perëndim vs. Lindje
Përfundimi i Luftës së Koresë në 1953 u pa si humbje nga shumë njerëz, por sot Koreja e Jugut është një nga vendet më të zhvilluara ekonomikisht në botë.
Kjo mund të jetë perspektiva për një Ukrainë të pas-luftës, tha Ignatius.
Megjithatë, sipas tij, pjesa perëndimore e Ukrainës nuk ka shumë shanse të përsërisë “mrekullinë ekonomike” të Koresë së Jugut, nëse kemi parasysh atë që ekspertët thonë rreth korrupsionit të regjimit në Kiev dhe mungesës së daljes në det pas ndarjes së supozuar të vendit.
Për më tepër, një pjesë e shtetit që është tejet e pasur me minerale dhe ku është përqendruar një potencial madhor industrial, do të kalonte nën kontrollin e Federatës Ruse.
Dhe sipas Ignatius, “Ukraina Perëndimore do të bëhej një kontribuues i lëndës së parë dhe i fuqisë punëtore të lirë për Poloninë dhe pjesën tjetër të BE-së”.
Skeptikët
Kjo është arsyeja përse shumë kritikë të ‘skenarit korean’ e shohin atë si një ‘thikë me dy presa’ dhe një opsion jo-të mirë për Ukrainën e cila do të rrezikonte të humbte pika strategjike, daljen e saj në det por edhe rezerva natyrore që janë esenciale për zhvillimin ekonomik të vendit – sidomos pas luftës ku rimëkëmbja dhe rikonstruktimi i vendit do të kërkojnë energji maskimale.
Të tjerë i frikësohen Rusisë, duke ngritur shqetësimin se Putin nuk do të ndalojë me kaq.
Ata e shohin skenarin korean si asgjë më shumë e asgjë më pak se fillimin e një ‘luftë të pafundme’.
Njëri prej tyre është edhe këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podoliak, i cili tha për BBC se kjo do të ishte një zgjidhje shumë e keqe pasi “Rusia nuk është Koreja e Veriut. Federate Ruse nuk do të ndalonte në mes me Ukrainën. Mbarimi i njërës luftë do të niste tjetrën. Një luftë e gjatë dhe e pafundme.”
Në çdo rast, diçka është e sigurt – që tashmë faktori kryesor që i shtyn Shtetet e Bashkuara të organizojnë negociata është situata e krizës ushqimore globale, pasi askush nuk e priste që bota do të ishte në prag të urisë për shkak të këtij konflikti.
Kjo mund të jetë arsyeja kryesore për nevojën imediate për një zgjidhje, qoftë ajo koreane apo një tjetër, për luftën e pamëshirshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
LEXONI GJITHASHTU:
- A po e humbet SHBA besimin tek Zelensky?
- 10 shtetet që prodhojnë më shumë grurë dhe ndikimi i luftës në tregun global
- Rivali i Zelenskit, Petro Poroshenko tregon 4 rrugët për të mundur Putinin
“Kemi një armik të ri”, Rama: Do përfshihen shkollat në parandalimin e zjarreve
Droni rus godet një ndërtesë banimi në Kiev
Rusia kryen një valë sulmesh ajrore ndaj Kievit, si reagoi mbrojtja ukrainase
- 22:27 L’Equipe zbulon prapaskenat e Francës, Dembele shpërtheu ndaj shokëve në pushimin e ndeshjes me Spanjën
- 22:27 Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
- 22:22 Si ikën Rama? Xhafo zbulon 2 mënyrat dhe bën llogarinë e mandateve…
- 22:20 Deklarata e ministres serbe për Kosovën ndez reagime në Europë, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Beogradit nga negociatat me BE-në!
- 22:19 Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar
- 22:18 “Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë