Destinacion udhëton drejt Pukës, a është ky qyteti më i pastër në Shqipëri?
Qyteti i Pukës, Destinacioni ynë i radhës, ndodhet 138 kilometër larg qendrës së Tiranës. Rruga zgjat rreth 2 orë nëse zgjedh të kalosh nga Vau i Dejës. Ka kthesa dhe shumë qafa majë maleve, por janë të buta e nuk i ndjen.
Dikur në kohën e austrohungarezëve, piketimi i rrugës së Pukës është bërë me gomar, pasi kjo kafshë di të zgjedhë në perfeksion shtegun ku kalon. Edhe sot ka mbetje të mureve mbajtës përgjatë këtij aksi të ndërtuara që në kohën e Italisë, më pas datojnë ndërtimet në kohën e komunizmit për të mbërritur në rikonstruksionet e kohëve të sotshme. Këtu diferenca e cilësisë dhe përshtatshmërisë me natyrën është e dukshme. Dhe për ta kuptuar këtë mjafton të shihni urën e Gomsiqes, e ndërtuar nga italianët më 1939.
Rrethuar nga Mali i Munëllës, Krrabit e Tërbunit si dhe nga unaza e pishave shtrihet Puka, qytet i cili nuk ka asnjë pallat të ri shumëkatësh ndërsa fasadat rreth qendrës janë unifikuar.
Puka njihet edhe për qershitë të cilat janë në çdo shtëpi. Edhe pse një pjesë i kanë vjelë, ne arrijmë të gjejmë ende disa nëpër oborre.
Njerëzit janë të urtë e mikpritës. Ndërsa je në qytet, makinën mund ta lësh edhe hapur me garancinë që nuk rrezikon të ta vjedhin, pasi asnjë nuk I ngacmon gjërat e tjetrit. Dhe sa për kuriozitet, në Pukë nuk ka parking me pagesë.
Dikur qyteti mbahej nga industria e drurit dhe mineraleve ndërsa sot turizmi është parësor. E duke qenë ky prioritet, në Pukë do të ndërtohet një park gjigand aventurash, një prej më të mëdhenjve në Ballkan. Një teleferik do të lidhë dy kodrat, Mehajn dhe Hanin me një gjatësi 1200 metër dhe me shpejtësi lëvizjeje 90-110 kilometër në orë. I mësojmë këto detaje, ndërsa bisedojmë me kryetarin e bashkisë Gjon Gjonaj. Ai na shpjegon ambicien që ka e që duket se është fare pranë realizimit.
Nuk kam parë qytet më të pastër në Shqipëri, ku syri nuk të kap qoftë edhe një bisht cigareje në tokë.
Liqeni brenda qytetit është pastruar e përreth tij do të ndërtohet një sistem që quhet airbike, ku njerëzit do të pedalojnë në ajër biçikletat që mbahen nga kavo celiku.
Turizmi është pika kyçe që po investojnë vendasit. Dhe këtë e kupton edhe nga një tjetër investim. Kjo pistë skish është ndërtuar nga Përparim Laçi që është president I shoqatës shumësportësh e malor dhe do funksionojë jo vetëm në dimër por edhe ne verë.
Puka është e njohur edhe për birrën vendase. Ndaj ne vendosëm të bëjmë një vizitë gjatë kohës së prodhimit të saj.
Pukianët janë mjeshtra të përpunimit të drurit dhe një ndër më të famshmit prej tyre, Vitor Shahinaj e takojmë në dyqanin e tij.
Ecim nëpër qytet e mësojmë më shumë rreth tij, plane për të ardhmen dhe histori të vjetra.
Ky burrë quhet Xhemal Meçi dhe është personazhi më i veçantë në Pukë. Edhe pse është 84 vjeç ai ende punon si ciceron dhe mund të jetë nga më të vjetrit në botë që vazhdojnë këtë zanat në këtë moshë. Profesori na shpjegon historinë e lashtë të Pukës dhe ky rrëfim është I mbushur me emocion.
Një guidë në muzeun e Pukës e udhëhequr nga profesori është tejet interesante…
Në qytet marrëdhënia ndërfetare është e shkëlqyer, madje pukianët na tregojnë se kur lindte fëmija në një shtëpi katolike, nuni zgjidhej të ishte mysliman dhe e kundërta.
Mësuesja e njohur në Pukë, Nafije Ramadani na tregon disa nga zakonet e pukianëve…
Një vend tjetër për t`u vizituar dhe vlerësuar, pasi është nxitës i punësimit në Pukë, është Famullia e Kçirrës. Në oborr ndodhet kjo kishë e njohur me emrin Kisha e Shën Kollit.
Dom Xhovani që shërben prej kohësh këtu si famulltar, ka futur një frymë të veçantë mes familjeve të varfra të zonës. Modelin e përhapur në Shqipëri të marrjes së lëmoshës nga nevojtarët, ai e ka shndërruar në një model biznesi. Familjet e varfra angazhohen në mbledhjen e frutave dhe bimëve medicinale, në këmbim të pagesës.
Dod Marinaj administratori i qendrës na tregon si funksionon puna gjatë një vështrimi që hedhim nëpër dhoma.
Ndërsa vijojmë bisedën Dod Marinaj na fton të provojmë sallamin dhe likeret e shumëllojshëm.
Në Pukë ka shumë mundësi zgjedhjeje për të fjetur. Çmimet në hostel shkojnë 700 lekë shtrati. Ndërsa paketat turistike që përfshijnë fjetjen bashkë me ushqimin për dy vakte shkojnë nga 3500 lekë deri në 4000 lekë çifti.
Por ne vendosim të kthehemi tek hani I Përparimit ku na pret drekë-darka dhe shijimi i ushqimeve karakteristike të Pukës që I gatuan gruaja e tij.
Koha ikën shpejt në destinacione si Puka dhe pa e kuptuar ka nisur një ditë e re.
Mëngjesin e saj e nisim me shkollën e Migjenit, aty ku ka dhënë mësim poeti I njohur.
Kjo shkollë ruhet për nder të tij dhe pukianët ndjehen krenarë për të, edhe pse aty poeti qëndroi fare pak.
Lëmë pas historinë për të prekur nga afër një tjetër atraksion turistik. Shpellën e murgjve, e shpallur monument natyre.
Grupi I eksplorimit të Pukës na shoqëron për në këtë destinacion të veçantë. Udhërrëfimi kushton 1500 lekë personi duke përfshirë makinën dhe varkën. Rruga zgjat mbi 40 minuta deri në derdhjen e lumit Gominë në liqenin e Komanit. Pamja është fantastike por ka disa momente kur udhëtimi bëhet i rrezikshëm.
E vetmja mënyrë për të arritur tek shpella është udhëtimi përmes liqenit me varkë.
Ngjitja në shpellën që ngrihet mbi një shkëmb të thepisur është e vështirë…
Pamja është fantastike me një mur që duket si bizantin e që mban në brendësi stalaktite dhe stalagmite. Shpella është e gjatë 80 metër, e gjerë nga 1 deri 5 metër dhe e lartë 3 deri 8 metër.
Veçantia e kësaj shpelle është se ka dy kate. Por për t`u ngjitur deri në katin e dytë nuk është edhe aq e thjeshtë, por ja vlen për të parë panoramën që ofron ballkoni që bie pingul mbi liqen.
Xhovana, vajza simpatike që na shoqëron na bën një paraqitje të shkurtër historike të shpellës…
Kujtime për këtë shpellë kanë pothuasje të gjithë banorët e Pukës, pasi ato janë lënë pas brez pas brezi nga gjyshërit.
Kaq shumë ofron natyra e këtij qyteti, sa jo vetëm shëtitja me varkë por edhe udhëtimi me makinë përgjatë shtratit të lumit është fantastik.
Rikthehemi në Pukë për ta mbyllur udhëtimin tonë me takimin me një kryeqytetas që ka ndërtuar një pjesë të jetës së tij në këtë qytet, Xhim Begenë…
Në periudhën maj-gusht 2019 mes turistëve të ndryshëm, Pukën e vizituan edhe 7 mijë motorristë dhe një prej tyre, Titi u rikthye sërish këtë vit. Ne zgjodhëm ta mbyllim këtë Destinacion duke ju treguar rrugën e kthimit nga Rrepsi, te sjellë përmes pamjeve fantastike të kamerës së tij.
Pa ujë e ushqim, udhërrëfyesi nepalez gjendet i gjallë pas gjashtë ditësh i zhdukur në Everest
Rreth 1,500 persona lirohen në Siri pas amnistisë së përgjithshme
Kampionati Ndërkombëtar i Fluturimeve të Lira, 50 pjesmarrës në ‘Korça Open Air’!
- 17:27 BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 17:24 “Jo më udhëtime luksoze teksa ukrainasit po vdesin”, 11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra për vizat ruse
- 17:21 Bitcoin bie në nivelin më të ulët që nga shkurti, rritet pasiguria në tregjet e kriptomonedhave
- 17:19 Planifikoi atentatin ndaj Ines Hajrullas, GJKKO dënon 11 vite burg Erio Zejnon
- 17:16 Presidenti i Lituanisë vizitë në Tiranë, pritet në Kryeministri nga Rama
- 17:16 25 mijë vende të reja pune nga investimi i Amazon në Evropë