Thaçi: Procesi ndaj meje vijim i akuzave, shpifjeve dhe fabrikimeve 21-vjeçare kundër UÇK-së

19 Korrik 2020 | 06:44

Procesin ndaj tij dhe ish-bashkëluftëtarëve, presidenti Hashim Thaçi e ka vlerësuar si vazhdë të akuzave, shpifjeve dhe fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Këto dhe të tjera vlerësime, presidenti Thaçi i ka bërë në një video-adresim një ditë pas kthimit të tij nga Haga, ku për 4 ditë me radhë u mor në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës tha se për shkak të kufizimeve ligjore dhe etike, nuk mund të ndajë detaje të hollësishme lidhur me marrjen në pyetje, por i përmblodhi ato në tri pika.

Fillimisht, ai përsëriti se historia e Kosovës dhe luftës çlirimtare nuk mund të rishkruhet.

“E para: siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush! Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush!”, u shpreh ai.

Sipas presidentit, ky proces është vazhdim i përpjekjeve për të njollosur luftën e UÇK-së dhe përpjekjet për liri e pavarësi.

“E dyta: ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik. Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet”, vazhdoi Thaçi.

Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, theksoi se pas qëndrimit në Hagë është edhe më i bindur për vlerën e madhe dhe sakrificën për ta zbardhur akuzat ndaj tij dhe aleatëve të Kosovës në luftën për liri.

“Dhe e treta: unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare. Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e Sllobodan Millosheviqit dhe e shtetit të Serbisë”, shtoi ai.

Presidenti Hashim Thaçi tha se nuk do të lejojë që procesi ndaj tij të pengojë ecjen përpara të Kosovës.

“Sonte dua të përsëris se për mua Kosova është gjithnjë e para. Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën, duke mos lejuar që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mi krejt padrejtësisht, të pengojë punët e mëdha që ka përpara Kosova. Prandaj, duke ju falënderuar nga thellësia e zemrës për këtë respekt dhe solidaritet gjithëkombëtar, dua t’ju lus të gjithëve që ta vendosni Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme. Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë, nga rilindësit tanë, nga dëshmorët tanë, nga heronjtë tanë, nga Hasan Prishtina, Shota dhe Azemi, nga Adem Jashari, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova, dhe qindra e mijëra të tjerë të cilët janë engjëjt mbrojtjes të kësaj toke. Kosova është edhe vizion. Është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë”, theksoi presidenti.

Duke folur për detyrimin për të ndërtuar rrugën e bashkëjetesës demokratike dhe multietnike, Thaçi shtoi se vetëm ashtu forcohet demokracia, mirëqenia dhe ndërtohen urat e paqes së qëndrueshme.

Ndërsa bëri thirrje për unitet të brendshëm lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.

“Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota. Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës. Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel”, vijoi ai.

Në fund presidenti falënderoi qytetarët për përkrahjen dhe besimin politik të dhënë ndër vite.

“Unë dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka. Më keni besuar gjithçka që mund t’i jepet një njeriu në atdheun e tij, nga populli i tij! Për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Përulem me respekt për besimin tuaj! U jam mirënjohës përgjithmonë! Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun tim dhe për juve. Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju”, u shpreh Thaçi.

Për katër ditë më radhë, nga e hëna e deri të enjten, për më shumë se 30 orë presidenti i Kosovës është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pak javë pasi e njëjta zyrë njoftoi për një aktakuzë për krime lufte – ende të pakonfirmuar – ndaj tij, Kadri Veselit dhe disa ish pjesëtarëve tjerë të UÇK-së.

Lexoni gjithashtu:

Thaçi përfundon dëshminë në Hagë: Nuk jam pyetur për pretendimet e Dik Martit për trafikim organesh

Marrja në pyetje e Thaçit, avokati Qerkini: Gjykata mund ta rrëzojë aktakuzën ose ta kthejë çështjen për plotësim

Vizita e Bashës në Kosovë, takim me presidentin Thaçi dhe kryeministrin Hoti

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në

Kandidatja për president nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ndodhet në Gjilan nga ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar atë si një...
13:54 | 04/06/2026

Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec

Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist ka mbledhur këtë të enjte dis aktivistë tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, për t’u solidarizuar me protestat në...
13:36 | 04/06/2026

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026