Kush është Dritan Abazoviç, politikani që i dha fund pushtetit 30-vjeçar të partisë së Gjukanoviç në Mal të Zi
Dritan Abazoviç, është një nga tre kryetarët e partive opozitare malazeze, që bashkuan votat për të rrëzuar pas 30 vitesh në pushtet partinë e Milo Gjukanoviç, Partinë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi (PDS).
Abazoviç, 34 vjeç, i cili vjen nga familje shqiptare, drejton partinë URA (United Reform Action; Aksioni i Përbashkuar për Reforma), kjo në zgjedhjet e 30 gushtit mori mbi 22 mijë vota (5.5%) duke fituar katër mandate deputetësh, vendimtare këto për formimin e qeverisë së re.
Ai mbështeti koalicionin e nacionalistëve serbë quajtur “Crno na bijelo” (E bardha në të Zezë) me drejtues kryesorë Zdravko Krivokapiç dhe Aleksa Beçiç nga partitë “Për të ardhmen e Malit të Zi” (27 deputetë), dhe “Paqja është kombi ynë” (10 deputetë).
Së bashku ata kanë mundur të bëjnë 41 deputetë, mjaftueshëm sa për të formuar qeverinë, e cila është zotuar të ketë si fokus kryesor integrimin në BE dhe rishikimin e të gjitha ligjeve që nxisin diskriminimin, përfshirë këtu edhe ligjin për liritë fetare, ligj ky që nxiti mjaft protesta nga komuniteti serb në Malin e Zi.
Vetë Abazoviç ka ftuar në qeveri edhe partitë e minoriteteve boshnjake (tre deputetë) dhe shqiptare (dy deputetë), të cilat mundën të marrin pesë mandate.
Por kush është Dritan Abazoviç? Ai u lind më 14 dhjetor 1985 në Ulqin. Vjen nga familja shqiptare Abazi, prej së cilës ka marrë gjuhën dhe kulturën. Fillimisht u shkollua në Ulqin, më pas kreu studimet për shkenca politike në Sarajevë, studime të cilat i përthelloi në Norvegji dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas përmbylljes së studimeve, fillimisht ishte mësues në një gjimnaz të Ulqinit, më pas në vitin 2010 drejtoi për dy vite televizionin Teuta. Pas kësaj përvoje nisi aktivitetin politik duke themeluar bashkë me aktivistët e tjerë Darko Pajoviç dhe Mladen Bojaniç partinë “Pozitivna Crna Gora” (Mali i Zi Pozitiv).
Kjo parti u bë opozitare e PDS-së së Gjukanoviç dhe shpejt mori mbështetje popullore aq sa në zgjedhjet e vitit 2012 fitoi rreth 30 mijë vota duke marrë 7 mandate deputetësh. Një prej tyre ishte dhe Abazoviç.
Mirëpo dy vite më pas pati përplasje mes drejtuesve të partisë dhe Abazoviç u largua duke themeluar bashkë me Milosh Konatar partinë URA. Vetë partia Mali i Zi Pozitiv humbi mbështetjen që kishte kur në vitin 2016, tre deputetët e vetëm që i kishin mbetur, kaluan në pushtet me PDS-në e Gjukanoviç.
Abazoviç nxiti mjaft debat në komunitetin shqiptar për faktin se në një intervistë televizive pati theksuar prejardhjen serbe të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Në fund të vitit të shkuar mori gradën doktor shkencash në Universitetin e Sarajevës, ndërsa pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, kontribuoi në grumbullimin e ndihmave nga Mali i Zi duke vizituar personalisht Durrësin.
Lexoni gjithashtu:
Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në
Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor
- 15:39 I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit
- 15:32 “Braçellari, emër shumë i njohur në Korçë”, Artan Hoxha: Dhjetëra operacione për ta arrestuar
- 15:32 Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës
- 15:23 Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur
- 15:04 U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 14:50 Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona