Animatori nga Shkodra u rikthen buzëqeshjen fëmijëve të Thumanës

2 Dhjetor 2019 | 09:54

Të qeshurat e fëmijëve të Thumanës kanë nisur të dëgjohen sërish, gjashtë ditë pas tërmetit shkatërrimtar që preku Shqipërinë.

Në Shkodër, Erind Kopliku, një i ri që ushtron profesionin e animatorit po jep performancën e tij më të mirë për t’i kthyer atyre gëzimin.

Erindi tregon se u trondit thellësisht mëngjesin e 26 nëntorit, kur pa pasojat e tmerrshme të tërmetit që preku veçanërisht Durrësin dhe Thumanën, 66 kilometra nga qyteti i tij.

Sikurse shumë qytetarë të tjerë, të cilët ofruan menjëherë kontributin e tyre vullnetar pas tërmetit që la të paktën 51 viktima dhe plagosi qindra të tjerë, Erindi nxitoi drejt Thumanës për të ndihmuar me ç’ishte e nevojshme banorët e prekur.

Djaloshi nga Shkodra tregon për Euronews Albania se u prek shumë nga trauma që kishin pësuar fëmijët e qytezës, ku u rrënuan pallate dhe thotë se vuri në funksion eksperiencën e tij në argëtim për t’u rikthyer atyre buzëqeshjen.

“Nuk do të gënjeja, kisha frikë, kishte akoma ndërtesa që rrezikonin të shembeshin dhe frika ishte e madhe, por nevoja e fëmijëve për buzëqeshje ishte forca ime që më çoi drejt Thumanës”, – rrëfen Kopliku.

“Fëmijët kanë shumë nevojë për gëzim në këto momente të trishta, për buzëqeshje dhe gëzim në fytyrat e tyre,”- shton ai, ndërsa argëton i veshur me kostum shumëngjyrësh fëmijët në qendrën e strehimit.

Edhe sot ai vijon të jetë pranë fëmijëve të zhvendosur në Shkodër nga zonat e tërmetit.

Erindi është një prej shumë personave që shfaqën humanizmin e tyre në ditët e fundit në Shqipëri. Që prej të martës, pati shumë raste të angazhimit qytetar, përfshirë këtu një grup vullnetar psikologësh që iu drejtuan zonave të prekura nga tërmeti për t’u kujdesur për fëmijët e familjeve të dëmtuara deri tek muzikantë të cilët luajtën muzikë për personat në qendrat emergjente të strehimit.

Pjesë e aksionit vullnetar ishin dhe shumë shtetas të Kosovës, të cilët iu drejtuan vendit me ndihma humanitare, dërguan mjekë të specializuar në trauma apo gatuan për qytetarët e prekur, përkrah forcave policore të angazhuara në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tërmeti shkatërrimtar la pas 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa qindra familje braktisën shtëpitë e tyre nga frika e lëkundjeve të forta dhe gjetën strehë në qytete të tjera, tek të afërm ose në qendra emergjence.

Lëkundjet e tërmeteve lënë pas 51 viktima dhe qindra të plagosur

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026