40 vite mësimdhënie, profesor Tahiri: Pa arsimim, shoqëria nuk mund të ecë përpara

8 Shtator 2020 | 08:38

Vetëm edhe gjashtë muaj do të mund të hyjë në shkollë si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ky është Bedri Tahiri nga Vushtrria, i cili në janar mbush 40 vite në arsim, si profesor në gjimnazin “Eqrem Çabej”.

Profesor Bedriu filloi të punojë në arsim në kohë të vështira për Kosovën. Në vitin 1980, kur kapi ditarin në duar, Kosova përballej me demonstrata të mëdha nga studentët shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në ish-Jugosllavi.

Helmimi i nxënësve shqiptarë në shkolla në vitin 1990 apo dëbimi i shqiptarëve nga puna dhe shkollat, janë etapa që ky mësimdhënës do t’i kujtojë.

Por vullneti i mësimdhënësve dhe nxënësve ishte i madh, gjithashtu edhe i prindërve, që edhe pse keqtrajtoheshin nga policia serbe, vazhdonin ta mbanin gjallë arsimin shqip.

Profesor Tahiri rrëfen se kënaqësia që një mësimdhënës merr nga nxënësit kur ata mësojnë dhe janë aktivë, është e veçantë. Kjo ka bërë që ai bashkë me nxënës të angazhohen me krijimtari.

“Çdo vit e kemi praktikuar që me 7 Mars ta nxjerrim një numër të revistës shkollore, ose një libër të veçantë që quhet ‘Vrulle Rinore’.

Kënaqësia është e dyanshme. Unë i udhëzoj nxënësit dhe i edukoj aq sa mundem, por edhe frymëzohem prej tyre. Unë u ndihmoj të shkruajnë poezi, ata më frymëzojnë të shkruaj edhe unë, sepse kur e shoh që nxënësi është i interesuar, atëherë… kështu që kënaqësia është e dyanshme”, shprehet mësuesi.

Ky frymëzim ka bërë që profesor Bedriu të mos kufizohet me shkrime vetëm brenda shkollës. 44 librat që mbajnë emrin e tij për autor janë kryesisht monografi për figurat e shquara të kombit, si Hasan Prishtina, Azem Galica dhe Adem Jashari.

Marrja me krijimtari letrare për profesorin është ndihmesë në punën me nxënësit, edhe pse mësuesia është dashuria e tij e vetme profesionale.

“Ndoshta duhet t’i referohemi prapë të madhit Eqrem Çabej, i cili ka thënë se mësuesia nuk është profesion, por është mision. E misioni ynë është ky”, thotë profesor Tahiri.

Sidoqoftë, edhe nga ky profesion ka lodhje. Më e madhja për profesorin është kur nuk sheh rezultate tek nxënësit.

“Kjo vjen nga mosangazhimi i nxënësit sa duhet, sepse çdo rezultat i nxënësit është kënaqësi e jona. Ajo na mban. Se kur pas 30 vjetësh nxënësi yt doktoron apo magjistron e vjen të të përshëndesë e të falënderohet për atë që e ke dhënë, atëherë ai është suksesi ynë më i madh”, thotë ai.

Megjithatë, për profesorin i cili së shpejti do të dalë në pension, shoqëria nuk ka ditur që arsimit t’i japë vendin dhe rëndësinë që i takon.

“E shoqëria, pa një arsimim të mirëfilltë, nuk mund të ecë përpara”, shprehet profesori.

Ai shpreson se brezat e rinj do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre, aty ku brezi i tij, dita-ditës, po e dorëzon stafetën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në

Kandidatja për president nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ndodhet në Gjilan nga ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar atë si një...
13:54 | 04/06/2026

Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec

Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist ka mbledhur këtë të enjte dis aktivistë tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, për t’u solidarizuar me protestat në...
13:36 | 04/06/2026

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026