Basha thirrje SPAK-ut: Bëni detyrën, hetoni mafien e inceneratorëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi të enjten tjetër konferencë me gazetarët, ku i ka cilësuar “tronditëse” të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për pandeminë dhe ka ushtruar sërish trysni ndaj Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion që të nisin hetimet për abuzimet me tenderët dhe koncesionet për inceneratorët.
FMN raportoi së fundmi shifrat e shpenzuara nga qeveritë evropiane për të përballuar situatën e pandemisë, raport në të cilin qeveria shqiptare rezulton se ka akorduar “vetëm 0.86% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Kryetari i demokratëve u shpreh se kjo e dhënë “tregon se qeveria i braktisi totalisht qytetarët” duke “mos iu përgjigjur atyre në raste në nevojë sikurse është pandemia”. Ai pretendoi se edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm “qeveria nuk ka parashikuar asgjë tjetër për të ndihmuar për krizën e pandemisë”.
Ashtu si të mërkurën, Basha iu drejtua sërish Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, dhe konkretisht drejtuesit të saj Arben Kraja dhe prokurorëve të tjerë “se përse nuk hetohen abuzimet” dhe se “çfarë i pengon ata të kryejnë detyrën”, pasi “120 milionë euro kanë shkuar për koncesione dhe asnjë para për të ndihmuar njerëzit”.
“Heshtja juaj inkurajon hajdutët dhe vjedhjen e parave të shqiptarëve,” – u shpreh Basha duke i cilësuar “gojëkyçur” prokurorët e SPAK-ut.
Basha tregoi disa dokumente ku pretendoi se në tenderët për koncesionet e menaxhimit të mbetjeve “kanë fituar oferta me çmimin më të lartë, jo ato me çmimin më të ulët”, ndërkohë që koncesioni për impiantin e Fierit, tha se “u përzgjodh pa vlerësuar as ofertën financiare”.
“Mungesa e ofertës financiare, si kriter vlerësimi, tregon se inceneratori i Fierit është një skemë mafioze e zhvatjes së parave të taksave, se koncesionari mund të kërkojë sa të dojë nga shteti, pasi nuk ka vlerë tavan, janë shpenzuar 23.8 milionë euro për një kontratë që nuk ka të përcaktuar çmimin, a ka prokuror që nuk e kupton vjedhjen që po bëhet?!” – u shpreh Basha duke u kërkuar prokurorëve të SPAK-ut të kryejnë detyrën.
Përballë pyetjeve të gazetarëve, Basha tha se do të vijojë me deklarata dhe denoncime deri sa të ketë llogaridhënie dhe qeveria e Kryeministrit Rama të largohet. Sipas tij qeveria po mundohet të devijojë vëmendjen publike duke “nxitur kacafytje”, apo “tema të tjera” me “sjellje jo-etike” në emisione apo dalje televizive.
“Tani është një shfaqje makabre, se sa herë [Rama] hidhet e përdridhet e krekoset më shumë shqiptarë humbin punët, më shumë të vegjël kanë më pak për të ngrënë, më shumë infektohen [nga COVID-19] dhe më shtrenjtë u kushtojnë ilaçet që nuk rimbursohen,” – tha Basha duke këmbëngulur se qeveria duhet medoemos të largohet.
Lexoni gjithashtu:
Basha: SPAK po inkurajon vjedhjet dhe hajdutët duke mos hetuar
Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet
- 08:22 Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut