Polemikat për Veton Surroin, ‘ndjesa’ e Safet Gjicit dhe justifikimi i Avdullah Domit

29 Nëntor 2020 | 10:08

Pasditen e 27 nëntorit Këshilli i Qarkut Kukës vendosi që t’i hiqte titullin “Nder i Qarkut” publicistit të njohur të Kosovës, Veton Surroi.

Sipas këshillit vendimi u mor, pasi z.Surroi ka sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së.

Ky vendim solli reagime të shumta nga palët politike, por jo vetëm. Kryeministri Edi Rama ishte i pari që reagoi dhe këtë vendim e quajti lajthitje kolektive dhe i kërkoi Prefektit të Qarkut Kukës të mos e firmosë një vendim të tillë.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, tha ndër të tjera Rama nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.

Nuk mungoi edhe një reagim nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.

Ky i fundit në një postim në Facebook kërkoi falje dhe këtë vendim e cilësoi si “të nxituar”.

Por, krejt ndryshe u shfaq në mbledhjen e Këshillit, ku foli kundër z. Surroi, i cili sipas tij nuk e meriton titullin ‘Nderi i Qarkut’. Ai nënvizoi se Surroi ka shkelur mbi motivacionin për të cilin i është dhënë ky titull.  

“Jo vetëm që ai ka marrë Qytetar Nderi për të mbrojtur këtu UÇK, Kosovën, kështu thotë. Madje, thuhet se ka dhënë edhe kontribut për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ai po bën fushatë politike, mediatike kundër UÇK. Dhe nuk mund ta pranojmë këtë ‘Nder i Qarkut’, ça ‘Nder i Qarkut’ është ky?, u shpreh Gjici gjatë mbledhjes.

Por, këto nuk ishin të vetmet deklarata publike. Pas mbledhjes Kreu i Qarkut Kukës, Avdullah Domi u justifikua se vendimi është marrë pas disa debateve ndërsa në votim propozimi u miratua me shumicë votash. Ai tha se për këtë vendim duhet t’i kërkohet falje Surroit.

“Duam t’i kërkojë ndjesë z. Surroi dhe të gjithë qytetarëve që janë prekur nga ky vendim. Duhet thënë që të kërkosh falje është fisnikëri. Nuk ishte tamam momenti i duhur”, u shpreh ai.

Pas polemikave të krijuara Euronews Albania ishtë e para që mori një prononcim të vetë z.Surroit për këtë vendim të Këshillit të Qarkut Kukës.

Ky  i fundit tha se gjithçka i ngjason gjyqeve politike duke kujtuar se gjykime të tilla në këtë qark kanë pasur dhe pasoja të hidhura (varja e shkrimtarit Havzi Nela). Sipas tij e gjitha është një gjykim politik, që bazohet në emocion dhe jo në prova.

 “Ishte pa këndshme por është një lajm në zhvillim dhe pas vendimit pashë që kryetari i bashkisë kërkoi falje. Nuk e di se ku gjendet dhe ku do të gjendet pas një orë kjo punë. Ishte pakëndshme dhe forma se si u veprua, u zhvillua një lloj gjyqi politik në të cilin më la mbresë formulimi “le ta shkarkojmë tash, format do t’i marrim më vonë. I ngjasonte pak gjykimeve politike dhe gjykimet politike në Kukës dhe për fat të keq ato kanë pasur pasoja të këqija në kohën e komunizmit. Fati i mirë është që jemi në një sistem tjetër se për ndryshe kjo punë përfundonte edhe më keq”, deklaroi z. Surroi.

Në të njëjtën linjë është edhe analisti Ben Andoni, i cili tha për Euronews Albania se vendimi i qarkut të Kukësit është i tepruar dhe tregon se si funksionon i gjithë procesi i dhënies së titujve të tillë.  

Sipas tij, këshilli i qarkut duhet të ishte më i ndërgjegjshëm për peshën e një çmimi të tillë të dhënë për një personazh të tillë, në një qytet me një simbolikë të theksuar si Kukësi, dhe s’mund të hiqet për 2-3 ditë.

Sa i përket faljes së Gjicit, ai tha se kthesa e zyrtarëve të Kukësit nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse nuk do të kishte ardhur reagimi i kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e quajti dinjitoz.

Siç duket edhe nga reagimet e shumta drejtuesit e pushtetit vendor në Kukës, publikisht kanë kërkuar ndjesë, por në mbledhje janë shfaqur krejt ndryshe.

Ai ishte ky vendim një sulm politik, një gjykim emocional, apo një vendimmarrje e mirëmenduar dhe organizuar? Gjithçka do të duket me kohën.

Por, duhet të theksojmë se vendimi ndaj Veton Surroit, nuk i shërben as vetë publicistit, por edhe situatës në të cilën ndodhet Kosova, ku ish-krerët e UÇK-së gjykohen në Hagë për krime lufte. Ndërkohë në Shqipëri, po tentohen që të gjenden shqiptarë që kanë punuar apo folur kundër UÇK-së.

Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai është një nga intelektualët më të shquar të Kosovës. 59-vjeçari është publicist, politikan dhe ish-gazetar dhe ka qenë përfaqësues i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Rambujesë. Surroi në vitin 2011 ka marrë çmimin SEEMO për të drejtat e njeriut.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026

Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë

Gjatë seancës plenare sdot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, pati diska replika me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Në fjalën e...
11:55 | 04/06/2026