Dëshmia që zbardhi vrasjet e Klodian Saliut, Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit

9 Dhjetor 2020 | 11:04

Luftar Reçi, një nga gjashtë të akuzuarit nga prokuroria për vrasjet Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, është personi kyç që ka zbardhur dinamikën dhe përfshirjet e ish-bandës së Durrësit në këto ngjarje.

Reçi, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, është marrë në pyetje më 26 nëntor dhe sipas dëshmisë së shqyrtuar nga Euronews Albania, vrasjet janë kryer nga ai, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai me bashkëpunimin e Emiljano Shullazit dhe Viktor Ymerajt.

Ai ka treguar për njohjen me Berishën që prej vitit 1994, takimet me të dhe anëtarët e tjerë të ish-bandës së Durrësit, si dhe mënyrën se si u organizuan dhe kryen vrasjet e muajit shkurt 2005 që tronditën asokohe opinionin publik.

Dëshmia e Reçit rezulton t’i ketë dhënë shtysën Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për të rinisur hetimet dhe bashkuar në një çështje tre vrasjet. Bashkimi i çështjeve ka ndodhur më 27 nëntor 2020, ndërsa pak ditë më pas Gjykata e Posaçme caktoi masat e arrestit me burg për:

  • Lulzim Berisha, 49 vjeç, në kërkim
  • Plaurent Dervishaj, 48 vjeç, në kërkim
  • Indrit Taullai, 45 vjeç, arrestuar në Kosovë
  • Emiljano Shullazi, 42 vjeç, në paraburgim
  • Viktor Ymeri (njohur gjithashtu me mbiemrin Imeraj, apo me emrin Tomor Cucaj), 53 vjeç, arrestuar
  • Luftar Reçi, 51 vjeç, në burg

Lamaj dhe Arsi u vranë mbrëmjen e 27 shkurtit të vitit 2005 pas një shpërthimi me bombë në ashensorin një pallati pranë Stadiumit Kombëtar në Tiranë. Një vit përpara vrasjes, ndaj Lamajt qe organizuar tjetër atentat, por me armë. Saliu, i cili njihej edhe me emrin Klajdi, u vra një ditë përpara Lamajt dhe Arsit në një atentat me armë në afërsi të Maminasit pranë autostradës Tiranë-Durrës. Ai po lëvizte me makinë.

Dëshmia për vrasjen e Saliut

“Gjatë takimit në fillim të muajit shkurt me Lentin [Plarent Dervishaj], Indritin [Indrit Taullai] dhe Lulin [Lulzim Berisha] në Tiranë, Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës më duhej të vrisja Klodian Saliun dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim,” – citohet të ketë thënë Reçi në dëshmi.

Më pas ai e përshkruan Saliun si kundërshtar të ish-bandës së Durrësit dhe se ata kishin informacione që ky ishte përpjekur t’u organizonte atentate. Nga dëshmia e mëtejshme kuptohet se hasmi i Reçit ishte Vajdin Lamaj.

Pas këtij takimi, ku u vendos “shkëmbimi i hasmëve”, Ruçi tregon se ka udhëtuar pothuajse çdo ditë në Durrës, në mënyrë që ta ndiqte dhe njihte më mirë Saliun. Në të gjitha vizitat e tij në Durrës, ai ka takuar pjesëtarët e bandës si dhe persona të tjerë që kishin njohje me viktimën.

“Unë, Lenti dhe Indriti filluam të bëjmë prova për mënyrën se si do ta realizonim vrasjen e Saliut,” – tregon më tej Reçi, ndërsa rrëfen se pas këtyre provave u vendos që Saliu të vritej gjatë kohës kur ai do të kryente një lëvizje për të takuar një person.

Reçi tregon se për vrasjen e tij ata qëndruan një javë duke e pritur vazhdimisht në një karburant në autostradën Tiranë-Durrës. Grupi kishte angazhuar edhe të tjerë që e vëzhgonin viktimën.

“Luli sapo mori vesh që do na jepej informacion për lëvizjet e Saliut, u sigurua që do të bëhej vrasja dhe iku në Turqi me qëllim që të mos dyshohej,” – rrëfen Reçi.

Natën e vrasjes së Saliut, 26 shkurt 2005, Reçi dëshmon se ishin angazhuar bashkë me të edhe Dervishaj edhe Taullai. Vetë ishte shofer, por megjithatë edhe ai kishte marrë pistoletë dhe “dy karikatorë rezervë”, ndërsa Dervishaj kishte armë automatike dhe Taullai një pistoletë “të kromuar me 15 fishekë”, e cila ishte e Lulzim Berishës, dhe një pistoletë me mulli.

“Unë isha shofer, Indriti ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit, kurse Lenti ishte ulur pas. Kur kaloi benzi [makina e Saliut] unë ndeza makinën dhe u nisëm në ndjekje. E arritëm shpejt, por nuk e parakalonim dot për shkak të makinave të tjera. Diku mes Vorës dhe Durrësit i jemi afruar dhe jemi vendosur paralel […] dhe nga dritarja kanë qëlluar me armë Indriti me pistoletë dhe Lenti me automatik,” – tregon Reçi.

Në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, nënvizohet se e gjithë ngjarja mund të ketë ndodhur për rreth 10 sekonda. Pas sulmit me armë nga makina në lëvizje, grupi ka ndaluar dhe sipas Reçit, Dervishaj dhe Taullai kanë zbritur dhe kanë qëlluar “tre herë me pistoletën me mulli” drejt Klodian Saliut.

Bashkë me Saliun, ka qenë edhe një person tjetër në makinë, i cili kishte mbetur i plagosur, bëhet fjalë për Osman Trumën. Reçi thotë se “Indriti i tha që nëse do të donte të shpëtonte, do të duhej ta mbyllte gojën”. 

Dëshmia për vrasjen Lamajt dhe Arsit

“Nga mesi i muajit shkurt më telefonoi Luli dhe më tha më gjej nga ato të nëntat [referuar kallëpeve të tritolit],” – rrëfen Reçi për planifikimin e atentatit ndaj Vajdin Lamajt, të konsideruar prej tij si “hasmi”.

“Pas kërkesës, mora në telefon një person, i cili tregtonte armë dhe mina të ndryshme. I shkova te shtëpia, ai ma siguroi pas 4-5 minutash […] përpara se të ma jepte bëri edhe provën duke thirrur një djalë nga Instituti Bujqësor që riparonte celularë,” – thotë Reçi duke u shprehur se mina kishte kushtuar 1,600 euro.

Reçi tregon se grupi më pas ka angazhuar së paku edhe dy persona të tjerë për “të bërë brumin” e eksplozivit me “gjashtë apo tetë tube dinamiti” në garazhin e një shtëpie të njërit prej tyre.

Për pajisjen shpërthyese u mendua të përdorën dy celularë “Siemens”, plani ishte që të montohej në një makinë Volkswagen, mirëpo u ndryshua.

“Indriti na tha ta linim montimin, doli jashtë dhe pasi u kthye kishte me vete një pako sa një paketë cigare e cila do të zëvendësonte dinamitin që kishim montuar,” – shton më tej Reçi duke treguar se pakoja në fjalë ishte C4 me prejardhje nga Mali i Zi.

Reçi tregon se pas daljes nga garazhi, Indrit Taullai ka takuar në një makinë të parkuar pranë Emiljano Shullazin, të cilin ai thotë se e kishte të njohur më parë pasi ky kishte gjithashtu njohje me Lulzim Berishën.

“Pashë se Indriti ja dha minën me telekomandë, që u përgatit brenda garazhdit Emiljanos,” – thotë në dëshminë e tij Reçi ndërsa teksa kujton disa takime të tjera pas vrasjes së Lamajt, shprehet se për t’i vendosur bombën qe angazhuar Viktor Ymeri me kontaktet e tij nga burgu.

“Indriti më tha se Tori [Viktor Ymeri] ka gjetur njeriun e duhur,” – thotë në dëshmi Reçi, ndërsa shton se nga burgu Ymeri kishte marrë përsipër pjesën kryesore të vendosjes së bombës në ashensorin e pallatit ku jetonte Lamaj. 

Kush janë emrat e përfolur

Lulzim Berisha – ish-drejtues i bandës së Durrësit, akuzuar për disa vrasje, përfshirë vrasjen e disa prej ish-anëtarëve të grupit dhe dënuar me 25 vite burg. Liruar në vitin 2016 përmes kleçkave ligjore.

Plaurent Dervishaj – kunati i Berishës, shpallur i pafajshëm për akuzat e përfshirjes me bandën e Durrësit, asnjëherë i burgosur pavarësisht akuzave të shumta të prokurorisë.

Indrit Taullai – ish-anëtar i bandës së Durrësit, akuzuar dhe dënuar me 25 vite burg për disa vrasje, liruar në vitin 2019 përmes kleçkave ligjore, kinse vuante nga një sëmundje e rëndë.

Luftar Reçi – ish-anëtar i bandës së Durrësit, arrestuar në vitin 2009, dënuar me burg për vrasjen e Maksim Lalës, ndodhur më 12 maj 2005.

Viktor Ymeri – ish-anëtar i bandës së Gazmend Brakës në Vlorë, arrestuar në fillimvitet 2000, dënuar me 25 vite burg për vrasjet e Ilir Xhungës dhe Arben Pajës, që të dy anëtarë të bandës së Durrësit që drejtohej nga Berisha. Liruar me kusht në vitin 2019.

Emiljano Shullazi – arrestuar në vitin 2018, dënuar me 14 vite burg për kërcënimin e sipërmarrësit Ylvi Beqja, çështja e tij është në Apel.

Klodian Saliu – ish-anëtar i bandës së Durrësit, veçuar dhe ri-organizuar me Endrit Doklen pas konflikteve me Lulzim Berishën në vitin 2002. Vrarë në vitin 2005.

Vajdin Lamaj – ish-President i Federatës Shqiptare të Boksit, sipërmarrës dhe ortak në disa media. Vrarë në vitin 2005.

 

Lexoni gjithashtu:

“I penduari”, SPAK zbardh dy vrasje të bujshme të 15 viteve më parë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026

Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë

Gjatë seancës plenare sdot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, pati diska replika me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Në fjalën e...
11:55 | 04/06/2026