Basha zotohet të zgjidhë problemin e pronave: Ndjesë ish-pronarëve për vonesat

28 Shkurt 2021 | 08:49

Duke kërkuar fillimisht ndjesë për vonesat në zgjidhjen e problemit të pronave, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u zotua sot “për t’i dalë deri në fund pronarëve dhe ish-të përndjekurve”.

Zotimin Basha e bëri në një konferencë për shtyp ku e cilësoi ligjin e shpronësimeve të miratuar nga qeveria socialiste e Edi Ramës, si “anti-kushtetues”.

Kryetari i PD-së e konsideroi si “ligj korruptiv” për të cilin “PD i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Sipas opozitës shpronësimet gjatë tetë viteve të fundit janë bërë në mënyrë të padrejtë ndaj pronarëve me një çmim jo të favorshëm dhe jo në raport me atë të tregut.

“Në 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Edi Ramën edhe në trajtimin e pronës private. Edi Rama e bëri të pazgjidhshme çështjen e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist dhe të pakthyera deri sot. Ligji i tij për pronat u bë pengesa kryesore për çdo pronar për të marrë pronën që i takon. Ne do t’i japim zgjidhje njëherë e mirë kësaj padrejtësie dhjetëra-vjeçare dhe për këtë kemi një plan pune të qartë dhe serioz,” – tha Basha.

“Pas 25 prillit, ndjesën për problemet e pazgjidhura dhe problemet e shtuara do ta kthejmë në angazhime konkrete,” – shtoi Basha, – “Prona, rëndësi për paqen sociale dhe për një zgjim të ri kombëtar ekonomik të Shqipërisë”.

“Kemi 7,000 dosje të cilat janë rrugëve të gjykatave dhe pronarët janë të lodhur dhe nuk mund të adresojnë më çështjet në rrugë gjyqësore, sepse kanë shpenzime,” – tha Ledina Mandia, eksperte pranë PD-së gjatë konferencës teksa shtoi se agjencia e kthimit të pronës dështoi t’i jepte zgjidhje situatës.

Sipas opozitës qeveria dhe autoritetet lokale abuzuan me pronat vitet e fundit duke përpiluar projekte si ato të rehabilitimit të shesheve, shpesh në shkelje të ligjit për shpronësimet në dëm të pronarëve.

PD zotohet për të përmbyllur procesin e legalizimit dhe të ribëjë një regjistër dhe hartë të re kadastrale, sipas së cilës do t’i jepet fund situatës së paqartë të pronave, sipas një reforme “të derregullimit” sikurse e cilësoi Basha. Ai theksoi se qytetarëve do t’i jepet fund sorollatjes nëpër zyra për të drejtat e pronësisë me një program që në fokus do të ketë thjeshtëzimit të procedurave dhe reduktimit të burokracisë si themel i korrupsionit.

“Ne besojmë tek prona si themel i organizimit shoqëror. Nesojmë tek familja, ne besojmë tek liria. Familja, prona dhe liria të lidhura të tria bashkë janë themeli i një shoqërie të shëndetshme. Prona dhe liria janë të lidhura ngushtë,” – u shpreh Basha duke theksuar se PD do të bashkëpunojë ngushtë me një dialog të vazhdueshëm me të gjitha shoqatat e pronarëve.

Në program prioritet i jepet opsionit të kompensimit me pronë të pronarëve që preken nga investimet publike dhe në pamundësi dëmshpërblimi me çmim të tregut.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
07:56 | 04/06/2026

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026