Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave

14 Maj 2024 | 21:24

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që do të mblidhet këtë javë.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, përmes një postimi në Facebook.

Ahmeti ka thënë se pavarësisht mbështetjes që gëzon Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – janë disa vende që kërkojnë prej Kosovës të pranojë “draft statutin e [të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi] Miroslav Lajçakut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën”.

“Ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë mes tjerash Ahmeti.

Sipas tij, kërkesa për Asociacionin nuk të bëjë aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

“Shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit”, ka vlerësuar Ahmeti.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Megjithatë, ka ditë që qarkullojnë informacione se disa vende të Perëndimit janë duke kërkuar që Kosova të shënojë përparim drejt formimit të Asociacionit, në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosova kujton Adem Demaçin në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta, Reçica: Simbol i qëndresës dhe lirisë

Bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të Adem Demaçit kanë bërë homazhe pranë varrit të Nderit të Kombit, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Deputeti i...
14:55 | 26/07/2026

Makina del nga rruga dhe përfundon në përrua, 5 viktima dhe 2 të plagosur në Antalia

Pesë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një automjet me shtatë pasagjerë doli nga rruga dhe ra në...
14:46 | 26/07/2026

Kurti nga veriu i Kosovës: Asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbijetojë i pandëshkuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek lapidari në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri në Varage të Zubin Potokut,...
14:36 | 26/07/2026