Lajçak: I çmoj rekomandimet e Osmanit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

28 Shtator 2024 | 12:39

I dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se i vlerëson mendimet dhe rekomandimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.

Ai tha se u takua me presidenten Osmani në Nju Jork për të diskutuar për gjendjen e tanishme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, megjithatë, nuk shpjegoi se cilat ishin mendimet apo rekomandimet e Osmanit për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja.

Si Osmani ashtu edhe Lajçaku qëndruan në SHBA këtë javë, ku liderët botërorë u mblodhën për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Emisari evropian u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Nju Jork, ku së bashku me të dhe me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, diskutuan për dialogun.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe pastaj Aneksin për zbatimin e saj në Ohër në fillim të vitit 2023.

Ajo ka mbetur e pazbatuar prej atëherë, megjithatë, edhe pse Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja është detyrim për të dyja palët.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

Marrëveshja e përbërë prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Ky proces mbështetet fuqishëm edhe nga SHBA-ja.

Rishtazi, SHBA-ja u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.

Rundet e dialogut rishtazi në nivel të kryenegociatorëve nuk kanë dhënë rezultate konkrete, derisa në atë më të fundit më 17 shtator, kryenegociatorët nuk zhvilluan takim trepalësh për shkak të mospajtimeve që kishin për temat e diskutimit.

Ndërsa, rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt shtatorin e vitit të kaluar./REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA ripërsërit thirrjen ndaj Kosovës: Bashkohuni me projektet amerikane të gazit natyror

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka rishpërndarë sot opinionin e publikuar një ditë më parë nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në...
11:52 | 05/06/2026

Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e...
19:18 | 04/06/2026

“Këtë verë do të jem në Prishtinë”, publikohet biseda e Dua Lipës me Katy Perry-n, ylli botëror pjesë e Sunny Hill

Këngëtarja me famë botërore Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë. Lajmi është...
17:54 | 04/06/2026