SHBA ripërsërit thirrjen ndaj Kosovës: Bashkohuni me projektet amerikane të gazit natyror
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka rishpërndarë sot opinionin e publikuar një ditë më parë nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ku i bëhet thirrje Kosovës që të bashkohet me projektet amerikane të gazit natyror në rajonin e Ballkanit.
Në mesazhin e publikuar, theksohet se furnizimi energjetik i Kosovës nuk po ecën me ritmin e kërkesës në rritje, ndërsa vendi po përballet me një varësi gjithnjë e më të madhe nga importet e energjisë elektrike nga shtetet fqinje. Sipas të dhënave të Doganave të cituara në opinion, Kosova ka shpenzuar rreth 735 milionë euro për import energjie elektrike në katër vitet e fundit, me një rritje të ndjeshme të kostove nga viti në vit.
Në këtë kontekst, në opinion argumentohet se Kosova duhet të diversifikojë burimet e saj energjetike përmes përfshirjes në projektet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG), të cilat sipas SHBA-së mund të ndihmojnë në stabilizimin e furnizimit dhe çmimeve të energjisë në vend.
Në deklaratë thuhet se LNG-ja amerikane do të mund të plotësonte burimet ekzistuese të Kosovës dhe të forconte partneritetin ekonomik mes dy vendeve, duke u paraqitur si një alternativë për uljen e varësisë nga importet rajonale.
I Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Energjisë për Integrimin e Energjisë, Joshua Volz, citohet të ketë deklaruar se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë për modernizim dhe se ai përfaqëson një mundësi për bashkëpunim me industrinë amerikane në sektorin e energjisë.
Më tej, në opinion theksohet se projektet rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci, si dhe lidhjet me infrastrukturën energjetike në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, mund të krijojnë një rrjet më të gjerë furnizimi për Kosovën.
Sipas mesazhit të SHBA-së, ndërtimi i infrastrukturës së re do të kërkojë kohë dhe vendimmarrje të shpejtë nga Kosova, ndërsa theksohet se ekzistojnë edhe mekanizma financimi amerikanë për projekte të tilla energjetike.
Në fund të opinionit, SHBA nënvizon se siguria energjetike është pjesë e sigurisë kombëtare dhe i bën thirrje Kosovës që të shqyrtojë një partneritet afatgjatë në fushën e energjisë me Shtetet e Bashkuara, përmes gazit natyror të lëngshëm.
“Një simbol i lirisë dhe miqësisë”, Prattipati vlerëson pullën postare të Kosovës për SHBA-në
Këshilltari i Trumpit për çështje fetare viziton Manastirin e Deçanit
Aksident në Gjakovë, plagosen 4 persona. I mituri i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 18:29 Borova kujton një nga masakrat më të rënda të Luftës së Dytë Botërore
- 18:23 Spanja pritet të mirëpresë 100 milionë turistë këtë vit
- 18:16 Shpërthejnë zjarre në Francë, mbi 10 mijë të evakuuar
- 18:16 Goditjet nga i nxehti, mjekët paralajmërojnë: Shkaktohen edhe gjendje komatoze
- 18:11 Trump pranon se i kërkoi FIFA-s të rishikojë pezullimin e Balogun: Mendoj se u mor vendimi i duhur
- 17:44 Netanyahu sulmon Erdoganin dhe i kërkon SHBA-së të mos i shesë Turqisë avionët F-35