Bombarduesit amerikanë godasin bunkerët nëntokësorë të Huthit në Jemen

17 Tetor 2024 | 11:10

Ushtria amerikane ka kryer sulme ajrore me bombardues B-2 ndaj bunkerëve të rebelëve Huthi të Jemenit të enjten në mëngjes, thanë zyrtarët amerikanë.

Nuk është ende e qartë se çfarë dëmesh kanë shkaktuar këto bombardime.

Në të kaluarën nuk është raportuar për përdorimin e bombarduesve B-2 për sulme ndaj rebelëve Huthi, të cilët ka kohë të gjatë që i sulmojnë anijet në Detin e Kuq për shkak të luftës në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Kanali satelitor i lajmeve i Huthit, al-Masirah, raportoi për sulme ajrore rreth kryeqytetit të Jemenit, Sana, të cilin ky grup e ka nën kontroll prej vitit 2014. Ai gjithashtu raportoi për sulme rreth bastionit të Huthit në Sada. Ky kanal nuk tregoi nëse kishte dëme apo viktima.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha në një deklaratë se bombarduesit B-2 kishin në shënjestër “pesë vende të fortifikuara nëntokësore për ruajtjen e armëve në zonat e kontrolluara nga Huthi në Jemen”.

Ky sulm duket se gjithashtu ishte paralajmërim tërthor për Iranin, mbështetësin kryesor të rebelëve Huthi, i cili ka sulmuar Izraelin me raketa balistike dy herë gjatë vitit të kaluar. Bombarduesit B-2 do të përdoreshin në çdo sulm amerikan ndaj objekteve të fortifikuara bërthamore të Iranit si, Natanz ose Fordo, duke qenë se është i vetmi avion luftarak i cili mund të hedhë bomba GBU-57.

“Ky ishte një demonstrim i veçantë i aftësive të Shteteve të Bashkuara për t’i goditur objektet që armiqtë tanë përpiqen t’i mbajnë larg arritjes sonë, pavarësisht se sa thellë janë futur, fortifikuar apo blinduar”, tha Austin.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha në një deklaratë se vlerësimet fillestare tregojnë se nuk ka civilë të vrarë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kongresmenët amerikanë duan ta zhvendosin samitin e OSBE-së nga Beogradi në SHBA

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po bën presion që sesioni vjetor i vitit 2027 i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të zhvillohet...
15:52 | 24/07/2026

Zjarri në Cap Ferret, mbi 400 persona evakuohen me varka (VIDEO)

Më shumë se 400 persona janë evakuuar me varka drejt skelës së Arcachon për t’i shpëtuar zjarrit të madh që ka përfshirë gadishullin Cap Ferret...
15:24 | 24/07/2026

Autopsia e Daniel Siad nuk zbulon shkakun e vdekjes, vijojnë hetimet

Autopsia e Daniel Siad, agjentit të modelimit që dyshohej se kishte lidhje të ngushta me Jeffrey Epstein dhe rekrutonte gra të reja në emër të...
15:16 | 24/07/2026