Nën akuzë për krime lufte, Serbia dënon me 6 vjet burg shtetasin e Kosovës

6 Dhjetor 2024 | 12:44

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.

Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.

Gjykata e Lartë e Serbisë tha se ka konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.

Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në vendimin e gjykatës u tha po ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së.

Në aktakuzën ndaj Mehmetajt thuhej se në mes të qershorit të vitit 1999, ai kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dashiç dhe në fund të qershorit, kishte marrë pjesë në vrasjen e Jelaj Ramadanit dhe Zorka Shijakoviçit.

Gjykata e Lartë e Beogradit tha se nuk është dëshmuar pjesëmarrja e tij në vrasjen e anëtarëve të familjes Dashiç dhe Zorka Shijakoviçit, si dhe nuk është dëshmuar që Mehmetaj, në korrik të vitit 1999, kishte marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e dhjetë shtëpive në fshat që i përkisnin joshqiptarëve.

Nezir Mehmetaj u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.

Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte në Rudicë të Komunës së Klinës në periudhën qershor-korrik 1999.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe të disa qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.

Por, udhëheqësja e kësaj ministrie, Albulena Haxhiu deklaroi se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Përveç Mehmetajt, në Serbi gjenden në paraburgim nën akuza për krime lufte edhe Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa. Ndërkaq, Sadiku Duraku, që ishte arrestuar më 17 prill nën dyshime për krime lufte, u lirua në tetor të këtij viti.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rritja e çmimeve në Ballkan, Kosova në vendin e parë për inflacion

Kosova ka regjistruar normën më të lartë të inflacionit vjetor të çmimeve të konsumit në rajonin e Ballkanit gjatë muajit qershor, sipas një përmbledhjeje të...
11:16 | 19/07/2026

Tentoi të kontrabandonte mallra në Zubin Potok, policia e Kosovës arreston një person

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut, ku një person është arrestuar dhe një...
10:48 | 19/07/2026

“Urrejtje patologjike ndaj Kosovës”, Andoni: Ministrja serbe pati kurajë dhe e tha, Daçiç e thelloi

Analisti Ben Andoni, i ftuar këtë të shtunë në Balkan Talks me Franko Egro në Euronews, ka folur lidhur me deklaratat e ministres serbe për...
19:25 | 18/07/2026