“Marrim 1 milion vota”- Rama për zgjedhjet dhe SPAK-un: Sot mbyll fazën “no comment”
Kryeministri Edi Rama pati mëngjesin e kësaj të marte një bashkëbisedim të gjatë me ndjekësit në rrjetet sociale, ku u fokusua kryesisht te arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në fjalën e tij, shefi i qeverisë shprehu mbështetjen ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe drejtësisë së re, por megjithatë nuk i kurseu kritikat në lidhje me procesin ndaj kryebashkiakut Veliaj.
Rama tha se faza kur ai nuk komentonte vendimet e sistemit të drejtësisë ka përfunduar. Ai shtoi se tashmë do të mbajë një qëndrim konstruktiv në lidhje me vendimet e gjyqësorit dhe sidomos me respektimin e prezumimit të pafajësisë, duke theksuar se njerëzit nuk mund të hiqen nga drejtimi i punëve që kanë dhe të shkojnë në qeli pa gjyq.
“Unë kam shumë respekt për punën e SPAK-ut, e kam mbështetur dhe do ta mbështes, por në punën e SPAK-ut ka probleme që nuk shkojnë. Për këtë arsye, unë sot e kam ndarë dhe po e rindaj me ju: e konsideroj të mbyllur fazën ‘no comment’. Ne do të ndërtojmë një qëndrim konstruktiv, do të bëjmë sa më shumë që jemi në gjendje për gjërat që nuk funksionojnë siç duhet. Por, duke e mbështetur pa asnjë rezervë luftën për drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se askush nuk duhet t’ia qajë hallin Partisë Socialiste për faktin se disa zyrtarë të lartë kanë probleme me drejtësinë. Ai theksoi se ishte pikërisht kjo forcë politike që realizoi reformën në drejtësi dhe se mbështetja për luftën kundër korrupsionit do të vijojë, pavarësisht ndryshimeve të mundshme në qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rama tha se në zgjedhjet e ardhshme Partia Socialiste ka pritshmëri që të marrë rreth 1 milion vota.
“Partia Socialiste është risia e madhe e një sistemi drejtësie që godet persona publikë me fuqi politike, duke krijuar idenë se të gjithë po kalojnë në atë sitë dhe se të gjithë janë njësoj. Jo, zotëri, të gjithë nuk janë njësoj! Unë që jam këtu mund të jem i kritikueshëm për shumë gjëra, por njësoj me të tjerët nuk jam. Partinë Socialiste nuk duhet t’ia qajë hallin askush, sepse është njësoj si t’i qash hallin kalorësit që i varen këmbët. Partia Socialiste është 800 mijë vota dhe më 11 maj do t’i afrohet 1 milionëve! Pra, do të jetë më afër 1 milionëve sesa 800 mijëve. PS ka forca të pafundme.
Kjo që po ndodh ka qenë dhe është vullneti i Partisë Socialiste. Amerika, Amerika, Amerika?! Cila Amerikë? Amerika mund të ndryshojë qasje, por lufta kundër korrupsionit do të vijojë pa kompromis, majtas dhe djathtas. Ama, lufta duhet të bëhet kundër korrupsionit, ndërsa prezumimi i pafajësisë nuk mund të mbetet një rresht aty në fund, pasi dikë e shqyen, e futin brenda dhe e largojnë nga detyra e kryebashkiakut, ku ka 1 mijë e një punë”, tha Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
- 11:10 Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)