Rama përgënjeshtron BIRN: Deklarata që dhashë për Veliajn dhe SPAK-un

11 Shkurt 2025 | 16:00

Agjencia e lajmeve BIRN publikoi këtë të martë një intervistë të kryeministrit Rama, ku ky i fundit komentonte arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Titulli i BIRN për intervistën, duke cituar fjalët e kryeministrit, ishte: SPAK ka dalë nga shinat, Veliaj nuk do shkarkohet.

Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama përgënjeshtron lajmin e BIRN dhe thotë se nuk ka deklaruar që SPAK ka dalë nga shinat.

Rama ka publikuar dhe përgjigjen e dhënë për BIRN, ku pohon vetëm se kryebashkiaku Veliaj nuk do të shkarkohet pas arrestimit me kërkesë të SPAK.

REAGIMI I RAMËS:

Kjo frëngji është e një grupi që quhet BIRN, i cili pretendon se lufton për të vërtetën dhe ndërkohë nxjerr nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të kryeministrisë! Dhe tani ky titull i pavërtetë bëhet avaz kudo, e pastaj do thuhet se ai ka thënë që… Kjo më lart është bota çmendurake ku jetojmë. Ndërsa kjo më poshtë është deklarata e zyrës së shtypit në përgjigje të pyetjes së BIRN se a do të shkarkohet Erion Veliaj:

Mesa duket nuk e keni ndjekur adresimin që kryeministri i bëri arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme. E para, sepse nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, por jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për të dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë.

E dyta, qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar. Ky fakt tejet problematik për gjithë kryeqytetin, jo thjesht për kryebashkiakun si palë në proces, por edhe për ne si garantë të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht të kontratave me qytetarët në nivel qendror e vendor, aq më tepër për metropolin e Shqipërisë, kërkon një reflektim shumë serioz.

Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shumë mirënjohës juve dhe cilësdo media që, në vend se të bëjë thjesht leximin e romanit policor të aktakuzës, të hedhë dritë për provat që e mbështesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve. Si përfundim, përgjigja është që jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Cilado qoftë ajo.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Stuhi e fortë shiu dhe breshëri përfshin qytetin e Elbasanit (VIDEO)

Një stuhi e fortë shiu, e shoqëruar me breshër, ka përfshirë këtë të premte qytetin e Elbasanit. Reshjet me intensitet të lartë vijojnë, duke vështirësuar...
13:17 | 24/07/2026

Rama: Fitorja e 83 mandateve ishte bekim dhe mallkim njëkohësisht

Kryeministri Edi Rama deklaroi se fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhje, e cila i siguroi 83 mandate, përbën njëkohësisht një bekim dhe një përgjegjësi të...
13:11 | 24/07/2026

116 forca në terren, vijon puna për shuarjen e zjarrit mes Lekasit dhe Voskopojës (VIDEO)

Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë një sipërfaqe me barishte, shkurre dhe pisha në zonën midis fshatit Lekas dhe Voskopojës, në Bashkinë...
13:10 | 24/07/2026