Zelensky shtyn vizitën në Arabinë Saudite pas takimit SHBA-Rusi

18 Shkurt 2025 | 17:48

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka ndryshuar planet e tij për një vizitë të paralajmëruar në Arabinë Saudite.

Këtë njoftim ai e bëri më 18 shkurt gjatë një konference për media me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Turqi.

Ai tha se përfaqësuesit ukrainas nuk u ftuan në takimin e mbajtur midis delegacioneve amerikane dhe ruse në Arabinë Saudite, duke theksuar se kjo “ishte befasi për ne”.

Kur u pyet nëse planifikonte të takohej me përfaqësuesit amerikanë që do të qëndrojnë në Riad, Zelensky tha se nuk e di se kush saktësisht do të qëndrojë në Arabinë Saudite.

“Sinqerisht, nuk më intereson. Nuk më intereson nëse partnerët tanë mendojnë shumë për ne. Ne jemi të sinqert dhe të hapur. Kjo është arsyeja pse nuk do të shkoj në Arabinë Saudite. Kam një raport të mirë me Princin e Kurorës, Muhammad bin Salman. I kemi kontaktuar dhe jemi pajtuar që do të zhvilloj një vizitë zyrtare më 10 mars”, tha ai.

Presidenti ukrainas tha se do të presë për vizitë në Kiev përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 14 shkurt, Zelensky kishte njoftuar se do të vizitonte Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Megjithatë, pas vizitës në Emirate, presidenti ukrainas shkoi në Turqi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takuan në Riad më 18 shkurt. Ata u pajtuan që “sa më shpejt që të jetë e mundur” të krijojnë grupe që të nisin punën për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se palët do të angazhojnë ekipe që t’i jepet fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur “në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët”.

Ndërkaq, gjatë konferencës për media Erdogan deklaroi se Turqia është “mikpritëse ideale” për çdo bisedim për t’i dhënë fund luftës, duke kujtuar se palët ishin takuar në Stamboll më 2022, disa javë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Turqia është një mikpritëse ideale për bisedimet e mundshme mes Rusisë, Ukrainës dhe Amerikës në një të ardhme të afërt”, tha ai, duke shtuar se bisedimet në Stamboll kanë qenë një “pikë e rëndësishme reference dhe platformë ku palët iu afruan arritjes së një marrëveshjeje”.

Kjo ishte vizita e tretë e Zelenskyt në Turqi që nga nisja e luftës. Turqia, anëtare e NATO-s, ka synuar të mbajë raporte të mira me të dyja palët dhe Erdogan e ka paraqitur veten si një politikan që mund të ndihmojë në arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026