Real Madrid dominon Manchester Cityn, Guardiola dhe Juventus jashtë Champions League

20 Shkurt 2025 | 07:33

Mbrëmja e 19 shkurtit solli emocione të mëdha në Champions League, me zhvillimin e katër ndeshjeve të kthimit të fazës play-off.

Pas përfundimit të këtyre sfidave, u plotësuan edhe skuadrat e mbetura që kalojnë në fazën e 1/8, mes të cilave spikasin Real Madrid, PSG, PSV Eindhoven dhe Borussia Dortmund.

Ndërkohë, Manchester City dhe Juventus mbeten jashtë garës për trofeun më të rëndësishëm evropian për klube.

PSV eliminon Juventusin dhe kompleton një mbrëmje të errët për futbollin italian

PSV Eindhoven realizoi një përmbysje dramatike kundër Juventusit, duke siguruar kualifikimin në 1/8 pas një fitoreje 3-1 pas kohës shtesë.

Në ndeshjen e zhvilluar në ‘Philips Stadium’, holandezët përmbysën humbjen 2-1 të sfidës së parë, duke u bërë skuadra e tretë që eliminon një ekip italian, pas Feyenoord dhe Club Brugge, që larguan nga gara Milanin dhe Atalantën.

Takimi nisi me dominimin e Juventusit, por pa konkretizuar rastet në pjesën e parë. Në minutën e 53-të, Perisic kaloi PSV-në në avantazh, por Weah riktheu shpresat për ‘Zonjën e Vjetër’ me golin e barazimit dhjetë minuta më vonë.

Megjithatë, Saibari në minutën e 78-të dërgoi sfidën në shtesë, ku Juventus u shfaq pa ide dhe energji, duke pësuar edhe golin e tretë nga Flamingo në minutën e 98-të.

Me këtë rezultat, PSV siguron një vend në fazën e 1/8, ndërsa Italia mbetet me vetëm një përfaqësues në Champions League, Interin.

Mbappe shkëlqen, Real Madrid eliminon Manchester Cityn

Në një përballje të pritur me shumë interes, Real Madridi triumfoi 3-1 ndaj Manchester Cityt në ‘Santiago Bernabeu’.

Protagonist absolut i takimit ishte Kylian Mbappe, i cili shënoi një tripletë spektakolare në minutat 4, 33 dhe 61, duke vulosur kalimin e madrilenëve në fazën tjetër.

Goli i vetëm për Cityn u shënua nga Nico në fund të takimit, por ai nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin e kampionëve në fuqi të Europës, të cilët tashmë përballen me një krizë edhe në kampionat.

Skuadra e Pep Guardiolës u eliminua nga kompeticioni me rezultatin e përgjithshëm 6-3, pavarësisht se ishte ekipi me vlerën më të lartë në merkato në këtë turne, me një vlerë të përbashkët prej 1.3 miliardë euro.

PSG turpëron Brestin, Dortmundi kualifikohet pa vështirësi

Paris Saint-Germain nuk e diskutoi për asnjë moment kualifikimin, duke shkatërruar Brestin me rezultatin e thellë 7-0 në ‘Parc des Princes’.

Golat erdhën nga Barcola, Kvaratskhelia, Vitinha, Doue, Mendes, Ramos dhe Mayulu, duke konfirmuar epërsinë absolute të skuadrës së Luis Enrique.

Ndërkohë, në Gjermani, Borussia Dortmund administroi avantazhin e ndeshjes së parë (3-0) kundër Sporting Lisbonës, duke u mjaftuar me barazimin 0-0 në shtëpi për të kaluar në raundin tjetër.

Skuadrat e kualifikuara dhe shorti për fazën e 1/8

Pas përfundimit të fazës play-off, skuadrat që kanë siguruar një vend në 1/8 e Champions League janë: Club Brugge, Feyenoord, Bayern Munich, Benfica, Dortmund, PSG, Real Madrid dhe PSV.

Shorti për fazën e ardhshme do të hidhet këtë të premte në orën 12:00 në Zvicër, ku do të përcaktohen çiftet çerekfinaliste të kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube.

E mërkurë, 19 shkurt 2025 

18:45 Dortmund 0–0 Sporting Lisbone (3-0)

PSG 7–0 Brest (3-0)

PSV 3–1 Juventus (1-2)

Real Madrid 3–1 Manchester City (3-2)

E martë, 18 shkurt 2025

18:45 Milan 1-1 Feyenoord (0-1)

Atalanta 1-3 Club Brugge (1-2)

Bayern Munich 1-1 Celtic (2-1)

Benfica 3-3 Monaco (1-0)

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfundon me një të vdekur pengmarrja në një bankë në Gjermani, arrestohet autori

Situata e pengjeve në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman, pas një operacioni të gjerë në perëndim...
18:26 | 23/07/2026

“Reshje dhe shtrëngata të forta të premten”, Bashkia Himarë del me njoftim zyrtar

Ashtu si Bashkia e Vlorës, edhe Bashkia e Himarës ka dalë me një njoftim për përkeqësimin e pritshëm të kushteve atmosferike gjatë ditës së premte....
18:04 | 23/07/2026

Egnatia barazon 3-3 me Celjen, gjithçka e hapur për sfidën e kthimit në Slloveni

Egnatia ka barazuar 3-3 ndaj Celjes në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League, në një sfidë spektakolare dhe të...
17:34 | 23/07/2026