Si rezultat i zjarreve aktuale, Metaj tha se është rritur gatishmëria në nivel vendi dhe janë ndërmarrë hapa për patrullime të rregullta të zjarrfikësve në të gjitha komunat. Po ashtu, Policia e Kosovës është angazhuar për të intensifikuar patrullimet dhe hetimet për të ndëshkuar përgjegjësit.
Edhe pse Kosova ka 739 zjarrfikës aktivë, një numër që Metaj tha se konsiderohet i mjaftueshëm për situata normale, rastet e fundit kanë vënë në vështirësi operacionet e shuarjes së zjarreve.
“Por, këto situata jashtë normales në të cilat jemi sot, vënë në rrezik edhe operacionalitetin, sepse janë të shpërndara në numër të madh në gjithë vendin. Numri i 294 rasteve për tri ditë është i paimagjinueshëm. Është enorm”, shtoi Metaj.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë apel qytetarëve që të raportojnë menjëherë rastet e zjarreve dhe të dyshuarit për zjarrvënie, duke theksuar se një gjë e tillë mund të bëhet edhe në mënyrë anonime.
“Inkurajojmë qytetarët të mos hezitojnë të raportojnë rastet dhe personat e involvuar, në mënyrë që të kemi parandalim dhe zvogëlim të rreziqeve. Kjo situatë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private”, tha Metaj.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që ndez qëllimshëm zjarr dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në 10 vjet, varësisht nga dëmi i shkaktuar nga zjarrvënia.
LEXONI GJITHASHTU: