Sorensen shkon në Beograd pas vizitës në Prishtinë

24 Prill 2025 | 15:48

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, kreu një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë të enjten, nga ku tha se do të udhëtojë për në kryeqytetin serb, Beograd.

Në vizitën e tij të dytë në Prishtinë, Sorensen u takua me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi.

I pyetur rreth vizitës, Sorensen tha shkurtimisht për gazetarë se “jemi duke punuar” dhe se ndodhej në Kosovë ashtu siç ia kërkon detyra si i dërguar i bllokut.

“Është një vizitë normale, siç mund ta shihni. Jam i lumtur që jam këtu dhe tani do të shkoj në Beograd dhe pastaj do të kthehem në Bruksel”, tha ai.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha në një njoftim për media se Bislimi dhe Sorensen biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik.

“U theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Sorensen ishte takuar me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani.

KFOR-i tha në një postim në Facebook se ata shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet e sigurisë në mbarë rajonin.

Kjo ishte vizita e dytë e Sorensenit në Kosovë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit dhe erdhi në një kohë kur Kosova nuk po arrin ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë e re më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë në mars, Sorensen kishte thënë se prioritet për të ishte të caktonte takime mes dy shteteve.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, kishte thënë Sorensen gjatë vizitës së tij në Prishtinë në mars.

Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Shefja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha në fillim të këtij muaji se BE-ja është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas kishte thënë se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me Sorensenin.

“Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama shpjegon Paketën e Maleve sipas ChatGPT: Nuk favorizon të pasurit, por familjet me toka të trashëguara pa dokumente

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një shpjegim mbi të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, duke iu referuar një analize të bërë nga ChatGPT....
22:30 | 24/07/2026

Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” analizoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të grupit...
22:19 | 24/07/2026

Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se...
22:06 | 24/07/2026