Sot, seanca e tetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

29 Prill 2025 | 08:25

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e tetë të seancës për konstituimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Vazhdimi i seancës nis në orën 10:00 dhe është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parashikon që çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

Në pesë tentime, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të re të Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë emëruar kryetari dhe nënkryetarët, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re, për të cilën Albin Kurti nuk i ka votat e nevojshme.

Albulena Haxhiu është parë nga opozita si figurë përçarëse, por Vetëvendosje këmbëngulë se ajo është kandidate meritore pasi është gruaja më e votuar në zgjedhjet e shkurtit. Në tentimet e deritanishme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit, ish-ministrja e Drejtësisë ka marrë 57 vota më së shumti.

PDK dhe AAK kanë thënë se partia e parë fituese duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për kryetar Kuvendi, derisa LDK ka paralajmëruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.

Partitë politike nuk kanë përjashtuar shkuarjen në zgjedhje të reja, por për një gjë të tillë, së pari, duhet të bëhet konstituimi i legjislaturës së nëntë, pas së cilës ajo do të shpërbëhej dhe presidentja e Kosovës do të caktonte datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vjosa Osmani ka potencuar se është e rëndësishme që sa më parë të konstituohet legjislatura e nëntë, teksa për çështjen e koalicioneve eventuale ka theksuar se është temë e partive politike dhe se ajo qëndron jashtë këtij diskutimi.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LVV ka fituar 48 mandate, PDK 24, LDK 20 dhe koalicioni AAK-NISMA 8 mandate.

Kujtojmë, në zgjedhjet 2011, KQZ-ja certifikoi rezultatet më 7 shkurt, ndërsa legjislacioni i atëhershëm u konstituua në seancën e parë konstituive më 21 shkurt. Në zgjedhjet 2014, certifikimi kishte ndodhur më 8 qershor, seanca e parë konstituive më 17 korrik, ndërsa legjislatura e asokohe u konstituua më 8 dhjetor.

Në zgjedhjet 2017, rezultatet u certifikuan më 8 korrik, seanca e parë konstituive u mbajt më 3 gusht, ndërsa legjislatura e atëhershme u konstituua më 7 shtator.

Dy vjet, më vonë, certifikimi i rezultateve u bë më 27 nëntor 2019, seanca e parë konstituive më 24 dhjetor, ndërsa legjislatura e atëhershme u konstituua dy ditë më vonë – më 26 dhjetor.

Në zgjedhjet e 2021-së, KQZ-ja certifikoi rezultatet më 13 mars, ndërsa 9 ditë më vonë – më 22 mars u mbajt seanca konstituive, ku edhe u konstituua legjislatura e tetë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti kundër rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë: Largimi i tyre ishte akt politik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar rikthimin në sistemin e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqjen në vitin 2022,...
15:55 | 24/07/2026

Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti këtë të premte është shpallur fajtor lidhur me akuzën për mosdeklarimin e 172 mijë e 600 eurove. Gjykata Themelore në...
14:35 | 24/07/2026

Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk merret vendim për kthimin e gjyqtarëve serbë

Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGjK është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi dy gjyqtarë e kane bojkotuar lëshuar takimin. Fillimisht, është...
14:08 | 24/07/2026