“Fshati Silarë 10 vite pa ujë të pijshëm”, banorët kërkojnë zgjidhje

27 Maj 2025 | 17:51

Sigurimi i ujit të pijshëm është kthyer në sfidë të përditshme për banorët e fshatit Silarë në Gramsh.

Prej afro 10 vitesh, ata nuk kanë ujë të pijshëm, edhe pse zona është e rrethuar nga burime të shumta ujore.

Sipas banorëve, në vitin 2016, dy burime ujore që ata vetë kishin improvizuar për të plotësuar nevojat minimale u mbuluan si pasojë e ndërtimit të një hidrocentrali, duke e lënë fshatin plotësisht pa furnizim me ujë.

“Për ujë të pijshëm unë nuk kam fare që kur është bërë hidrocentrali. Pata një burim, e mora me lekët e mia, bëra pus me pompa, po ma prishi hidrovori. Që atëherë s’kam pikë ujë. Iki dhe marr me autobus në Gramsh për të pirë. Imagjino – buka hahet me vakte, por uji duhet çdo orë e minutë – për të larë duar, enë, rroba. Pa ujë nuk bëhet jetë,” – thotë një nga banoret e fshatit.

Banorët që kanë mbetur në fshat thonë se mungesa e ujit, bashkë me mungesën e shërbimeve të tjera bazë, ka detyruar shumë familje të largohen.

“Aq mungesë kemi për ujë të pijshëm, sa nuk di ç’të them më. Të ikim natën me leckat në dorë. Kam pasur një djalë, iku me gjithë nusen. S’jetohet më kështu. Pa ujë nuk rrihet as një orë, jo më 10 vjet. Ne që kemi mbetur këtu, duam vetëm ujë. Marrim nga përroin – ujë prroi pimë,” – thotë një banor.

Një tjetër banor shton:

“Kanë kaluar 10 vite pa ujë. Uji është bërë shkaku kryesor që njerëzit po ikin nga fshati. Uji është jeta e njeriut, e gjallesës, e çdo gjëje të gjallë.”

“Kanë kaluar 20 vjet që kemi probleme, por 10 vjet i kemi me letra. S’kemi ç’të bëjmë, jemi të detyruar të rrimë. Thonë do ta zgjidhin, po presim,” – përfundon një tjetër banor.

Fshati Silarë ka rreth 200 banorë. Për ta, e vetmja kërkesë është uji i pijshëm.

Megjithëse natyra e fshatit ofron potencial të madh për zhvillimin e turizmit në të katër stinët e vitit, mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në një pengesë serioze për çdo iniciativë jetike apo zhvillimore.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së

Pas tubimit përballë kryeministrisë qytetarë u mblodhën fillimisht para selisë së Partisë Socialiste dhe më pas u drejtuan edhe pranë selisë së Partisë Demokratike. Protestuesit...
23:07 | 03/06/2026

Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride

Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka zhvilluar një intervistë për CNN ku ka folur lidhur me protestat që po zhvillohen kundër ndërtimit në Zvërnec....
21:35 | 03/06/2026