Një vit pa Ismail Kadarenë, akademikë dhe personalitete nderojnë gjeniun e letrave

1 Korrik 2025 | 16:15

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta, akademikë, shkrimtarë, poetë dhe politikanë nderuan kolosin e letërsisë, Ismail Kadare. Personalitetet kujtuan trashëgiminë që ka lënë Kadareja për letërsinë shqipe, ndërsa vlerësuan figurën dhe kontributin e tij.

Një vit më parë, në moshën 88-vjeçare, u nda nga jeta gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.

Zyrtarë dhe personalitete vlerësuan figurën dhe kontributin e shkrimtarit të madh në një aktivitet përkujtimor të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e përshkroi Kadarenë si një ikonë të përjetshme të mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Elisa Spiropali:
“Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendit nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.”

Skënder Gjinushi:
“Kadareja është mbrojtësi dhe hulumtuesi më i zjarrtë i gjuhës shqipe, i origjinës dhe lashtësisë së saj. Kadareja është një figurë identitare e popullit shqiptar, krahas figurave të tjera si Ismail Qemali, Skënderbeu e Nënë Tereza, dhe si i tillë do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar. Akademia ka pasur nderin ta kishte anëtar të saj për 36 vite me radhë.”

Akademikët kujtuan trashëgiminë e një shkrimtari që i dha gjuhës sonë përmasat e botës, ndërsa e cilësuan Kadarenë si shtyllë të identitetit tonë kombëtar.

Pirro Misha:
“Shqetësimi i vazhdueshëm i tij ishte që shqiptarët të përcaktonin njëherë e përgjithmonë vendin e tyre në histori si pjesë e qytetërimit evropian. Ai kujdesej për të paralajmëruar rrezikun që ekzistonte gjithmonë. Shqiptarët mund ta quajnë veten me fat që patën një figurë si Kadare.”

Shaban Sinani:
“Shkrimtari është përgjegjës për çdo gjë që ndodh në shoqëri gjatë jetës së tij. Kësaj përgjegjësie Kadare i doli përballë duke sfiduar historinë dhe të sotmen. Rekordi i tij është sfidues aq sa mund të kthehet në një problem qenësor për zhvillimin e letërsisë shqipe. Ismail Kadare, me veprën, vdekjen mundi.”

Bujar Hudhri:
“Që nga ajo ditë e një korriku të kaluar më ka mbetur e pashlyer në kujtesë pamja në sallonin e apartamentit, gati për udhëtimin e radhës. Kështu do ta përfytyroj përherë, drejt një fluturimi drejt një planeti të ri për letërsinë, por tashmë pa kthim. Dhimbja për ikjen e tij do të kalojë, por thesari që ka lënë për ne dhe veprat e tij do të mbesin përjetësisht.”

E pranishme në aktivitet ishte edhe Elena Kadare, bashkëshortja e kolosit të letrave shqipe, e cila u shpreh se jeta e shkrimtarit të madh shqiptar ishte në një linjë me atë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Elena Kadare:
“Ishte një shkrimtar shqiptar që ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që përshkroi me veprën e tij fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërë rrjedhën e saj. Ashtu si mbijetuan shqiptarët, mbijetoi edhe vetë Ismaili, jeta e të cilit ishte në thelb jeta e shqiptarëve që kërkuan liri, barazi dhe progres.”

Ismail Kadare, i lindur më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda dhe jashtë kufijve të vendit, i cili ngriti lart prestigjin e letrave shqipe anembanë globit. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës dhe është vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Euronews Albania (@euronews_albania)

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë

Ky është mesazhi që kanë shpërndarë në WhatsApp punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, për shkak se nuk përdorin rrjete sociale, kanë zgjedhur këtë...
12:48 | 04/06/2026

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026