Financial Times: Rusia po ndihmon Iranin në kërkimin për armët bërthamore
Rusia po ndihmon fshehurazi Iranin në përpjekjet e tij për zhvillimin e armëve bërthamore, ka zbuluar një hetim i Financial Times, duke raportuar për udhëtime sekrete të ekspertëve iranianë në Moskë dhe kontakte me institucione ruse që prodhojnë teknologji me përdorim të dyfishtë.
Hetimi fillon me një udhëtim më 4 gusht 2024 nga shkencëtari bërthamor iranian 43-vjeçar Ali Kalvand, i cili, së bashku me katër të tjerë, fluturoi për në Moskë me pasaporta diplomatike – disa prej të cilave të lëshuara në të njëjtën ditë dhe me numra të njëpasnjëshëm.
Sipas pretendimeve të tij, grupi përfaqësonte kompaninë DamavandTec, një firmë konsulence me zyrë në Teheran, por hetimi i FT zbuloi se delegacioni kishte lidhje të drejtpërdrejta me programin ushtarak bërthamor të Iranit.
Një nga anëtarët e grupit është identifikuar si pjesëtar i SPND-së (Organizata e Inovacionit dhe Kërkimit në Mbrojtje), e cila sipas SHBA-së është pasardhëse e programit të armëve bërthamore të Iranit përpara vitit 2004. Një tjetër është ish-kreu i një kompanie të sanksionuar për lidhjet me SPND-në, ndërsa një tjetër anëtar është përshkruar si oficer i kundërzbulimit iranian.
Kontakte me strukturat shkencore ruse
Gjatë katër ditëve që qëndruan në Moskë, iranianët vizituan institucione shkencore ruse që prodhojnë teknologji me përdorim të dyfishtë – komponentë që mund të përdoren për qëllime civile, por edhe ushtarake.
Kalvand thuhet se i ka dërguar një letër një furnizuesi rus, duke shprehur interes për blerjen e izotopeve radioaktive, përfshirë tritiumin, një material i ndjeshëm që përdoret për rritjen e fuqisë shpërthyese të armëve bërthamore dhe që kontrollohet rreptësisht sipas traktateve ndërkombëtare për mos-përhapjen.
Ekspertët e kontaktuar nga FT shprehën shqetësimin për takime të këtij lloji në Rusi, në rrethana kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë të tensionuara. “Pavarësisht nëse rusët ndajnë komponentë ose teknologji, SPND është një organizatë që do t’i përdorte ato për ndërtimin e armëve bërthamore”, u shpreh Pranay Vaddi, ish-drejtor për mos-përhapjen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
Roli i DamavandTec dhe lidhjet me Rusinë
Sipas dokumenteve të zbuluara nga FT, DamavandTec është përdorur nga Ministria e Mbrojtjes së Iranit për të organizuar udhëtimin në Rusi. Kompania paraqitet si një firmë konsulence në fushën e komunikimit shkencor, por drejtohet nga figura me lidhje të ngushta me sektorin bërthamor iranian dhe me institucione ruse.
Presidenti i kompanisë, Ali Bakoui, një fizikant 59-vjeçar, është gjithashtu drejtues në Universitetin Tarbiat Modares në Teheran dhe ka marrë doktoraturën nga Universiteti Shtetëror i Moskës. Ai ka shërbyer më parë si i dërguar shkencor i Iranit në Rusi.
Një tjetër figurë kyçe është Laleh Hesmati, gruaja e Kalvand dhe drejtoreshë e DamavandTec, e cila gjithashtu drejton MKS International, një kompani e sanksionuar nga SHBA për përfshirje në furnizimin e teknologjisë për programin e raketave balistike të Iranit.
Vizitat dhe kompanitë ruse të përfshira
Delegacioni iranian vizitoi Tekhnoekspert dhe Toriy, institucione pranë Institutit të Shkencës dhe Kërkimit Polyus. Polyus është një degë e konglomeratit shtetëror rus Rostec, i sanksionuar nga SHBA në fund të viteve 1990 për furnizimin e Iranit me teknologji për udhëzimin e raketave.
Një tjetër kompani e lidhur me këtë institut, BTKVP, ka kontrata me njësi të kontrolluara nga GRU, shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse.
Ekspertët shprehen se një vizitë e tillë nuk mund të realizohej pa miratimin e FSB-së, shërbimit të sigurisë së brendshme të Rusisë.
SPND: Njësi sekrete dhe e sanksionuar
SPND është një njësi e fuqishme nën Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit, që SHBA-të e përshkruajnë si përgjegjëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e armëve bërthamore. U themelua në vitin 2011 nga Mohsen Fakhrizadeh, i konsideruar arkitekti i programit të armëve bërthamore të Iranit para vitit 2003.
Pas vrasjes së Fakhrizadeh në 2020 – që i atribuohet Izraelit – organizata u drejtua nga bashkëpunëtori i tij, Fereydoun Abbasi-Davani, i cili publikisht premtoi të vazhdojë punën.
Në vitin 2024, parlamenti iranian e njohu zyrtarisht SPND-në, duke e përjashtuar nga kontrolli financiar parlamentar dhe duke i dhënë asaj të drejtë të krijojë degë tregtare dhe akademike, gjithmonë nën autoritetin personal të Udhëheqësit Suprem.
Përpjekjet për sigurimin e tritiumit dhe izotopeve të tjera
Dokumentet tregojnë se në maj 2024, Kalvand kontaktoi kompaninë ruse Ritverc për të kërkuar furnizimin me tritium, stroncium-90 dhe nikel-63. Ekspertët thonë se tritiumi është veçanërisht shqetësues për shkak të përdorimit të tij në armët bërthamore moderne, duke rritur ndjeshëm fuqinë shpërthyese.
“Kur dikush kërkon tritium, automatikisht mendoj për armët”, deklaroi William Alberg, ish-kreu i qendrës për kontrollin e armëve në NATO.
Pavarësisht nëse kërkesa është realizuar ose jo, vetëm fakti që SPND është përfshirë në përpjekje për të blerë izotope të tilla është një shqetësim i madh për agjencitë perëndimore të inteligjencës dhe mos-përhapjes.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq