Arrestohet piloti kroat dhe e dashura e tij serbe, dyshohen për spiunazh në Kosovë
Autoritetet kroate kanë arrestuar një pilot të Forcave Ajrore dhe partneren e tij, të dyshuar për spiunazh, duke i akuzuar për ndarjen e informacionit të klasifikuar në lidhje me operacionet paqeruajtëse në Kosovë gjatë një periudhe trevjeçare, raportuan mediat kroate të mërkurën.
Piloti i Forcave Ajrore Kroate, i identifikuar si J. I., dhe e dashura e tij A. M., shtetase serbe nga Mitrovica e Kosovës, u ndaluan në ishullin dalmat të Visit, pasi prokurorët vlerësuan se ekzistojnë prova të mjaftueshme për shkeljet e pretenduara.
Piloti i helikopterit ka mohuar akuzat, duke pretenduar se i është ngritur kurth, ndërsa partnerja e tij është “dëm kolateral”, sipas portalit kroat të lajmeve Index.hr.
Fillimisht, A. M. u mbajt në një qendër pritjeje në Trilj, në qarkun Split-Dalmaci, mbi bazën e një urdhri dëbimi, por më pas u akuzua zyrtarisht për spiunazh.
Sipas prokurorisë, piloti, i cili ka shërbyer në një mision paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, ka ofruar informacione të klasifikuara mbi njësitë e KFOR-it, lëvizjet në veri të Kosovës dhe komunën me shumicë serbe të Zubin Potokut, në periudhën 2022–2025.
Sipas akuzës, A. M. më pas ia ka kaluar këto të dhëna autoriteteve në Beograd.
Zyrtarë të Ministrisë Kroate të Mbrojtjes konfirmuan se piloti kishte kaluar të gjitha certifikimet e sigurisë. Sipas shtypit vendas, kolegët e tij e përshkruajnë si “profesionist shembullor”.
Ndërkohë, persona të afërt me A. M. e kanë mohuar kategorikisht përfshirjen e saj në këtë aferë, duke deklaruar se ajo nuk ka simpati për qeverinë në Beograd.
Në një përgjigje me shkrim për Euronews, Ambasada serbe në Kroaci deklaroi se askush nuk i ka kontaktuar lidhur me rastin dhe se informacioni i vetëm që zotërojnë vjen nga raportimet mediatike.
“Ambasada kryen aktivitetet dhe detyrat e saj të rregullta,” thuhet në deklaratë.
Anëtarë të Komitetit për Sigurinë Kombëtare në Parlamentin kroat e kanë cilësuar çështjen si shumë serioze dhe kanë kërkuar shqyrtim parlamentar.
“Ky është një problem serioz sigurie. Do të shohim se çfarë do të tregojë hetimi,” – u shpreh Arsen Bauk, kryetar i komisionit.
“Në kohë të tilla, qëllimi i përbashkët i të gjithëve, i të gjitha palëve, është siguria e qytetarëve dhe e vendit tonë, si dhe e misioneve tona paqeruajtëse në vendet ku jemi të angazhuar,” – shtoi deputetja Sandra Benčić.
Tensione në rritje mes Kroacisë dhe Serbisë
Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje – ish-republika jugosllave – janë përkeqësuar së fundmi, me Beogradin që ka akuzuar qytetarë kroatë për pjesëmarrje aktive në protestat në Serbi, të cilat kohët e fundit janë bërë të dhunshme.
Nga ana tjetër, Kroacia, si anëtare e NATO-s dhe BE-së, ka nënshkruar një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë me Kosovën dhe Shqipërinë, në muajin mars – marrëveshje që u kritikua ashpër nga Serbia.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e cilësoi këtë si një nxitje për “garë armatimesh në rajon”, ndërsa ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anušić iu përgjigj duke thënë:
“Ka kaluar koha kur i kërkonim leje Beogradit për të vepruar.”
Mediat serbe raportojnë se Vuçiç dhe aleati i tij, kryeministri hungarez Viktor Orbán, kanë diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje të ngjashme ushtarake midis Serbisë dhe Hungarisë.
Zjarret përfshijnë Evropën, mijëra të evakuuar në Francë, Itali dhe Spanjë
Rrezik thatësire në Evropë, studiuesit ndërkombëtarë tregojnë pasojat e nxehtësisë ekstreme
Përfundon me një të vdekur pengmarrja në një bankë në Gjermani, arrestohet autori
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia
- 21:30 Deputetja Luarasi: Reforma territoriale e vitit 2014 solli rezultate konkrete, ja pse duhet një e re