FOTO/ Hapet shkolla e re “Angela Merkel” në Kamëz, ambasada gjermane uron nxënësit

9 Shtator 2025 | 10:14

Hapja e shkollës së re “Angela Merkel” në Kamëz shënon një moment të veçantë në nisjen e vitit të ri shkollor.

Ky institucion arsimor modern është ndërtuar si pjesë e një projekti që mbart mesazhin e qëndrueshmërisë dhe rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.

Me këtë rast, Ambasada Gjermane në Tiranë ka uruar të gjithë nxënësit dhe prindërit për një vit të suksesshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në mbështetje të arsimit dhe të së ardhmes së vendit.

Gjatë vizitës në ambientet e shkollës, i ngarkuari me punë i Ambasadës Gjermane, Thilo Schroeter, dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e vlerësuan këtë shkollë si një simbol të transformimit pozitiv dhe të mundësive që lindin edhe pas krizave të mëdha.

Schroeter theksoi se Gjermania është krenare që ka qenë në krah të Shqipërisë në procesin e rindërtimit dhe integrimit evropian, ndërsa shkolla e re përfaqëson një model të bashkëpunimit dypalësh dhe investimit në të ardhmen.

Shkolla “Angela Merkel”, me kapacitet për 1.300 nxënës, është një nga më të mëdhatë në vend.

Ajo ofron ambiente moderne mësimore, bibliotekë, palestër, hapësira të gjelbra dhe një koncept të hapur arkitektonik që nxit bashkëpunimin dhe frymëzimin.

Projekti është pjesë e programit gjerman të rindërtimit pas tërmetit, përmes të cilit qeveria federale gjermane, në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), ka vënë në dispozicion 14.5 milionë euro për ndërtimin e tre shkollave të reja në Shqipëri.

Objekti është ndërtuar sipas parimeve të qëndrueshmërisë, me panele diellore dhe teknologji që reduktojnë më shumë se gjysmën e konsumit të energjisë, duke kontribuar edhe në mbrojtjen e klimës.

Në mesazhin e tij drejtuar nxënësve, Schroeter theksoi se kjo shkollë është një investim për të ardhmen e tyre, për arsimimin, ëndrrat dhe aftësinë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë në zemër të Evropës.

Ambasada Gjermane ritheksoi angazhimin për të mbështetur Shqipërinë në proceset e zhvillimit, reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026

Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje

Autobusi i linjës Durrës–Spitall (linja e Universitetit) u përfshi nga flakët teksa ishte në lëvizje. Zjarri u vu nën kontroll në kohë nga shërbimi zjarrfikës,...
12:10 | 04/06/2026