Osmani takon Kallas në Nju Jork, i kërkon heqje e masave ndaj Kosovës

25 Shtator 2025 | 09:59

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të enjten se ka zhvilluar një bisedë me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon.

Osmani u takua me Kallasin në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ku tha se i kërkoi asaj që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, tha Osmani.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe e kishte arsyetuar mbajtjen e tyre në fuqi duke thënë se Kosova nuk po bënte mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Kallas tha në maj në vizitën e saj të parë në Kosovë si shefe e diplomacisë së bllokut evropian se kishte filluar heqja graduale e masave.

Ajo nuk kishte shpjeguar asokohe se çfarë masash mund të jenë hequr, por Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime të saj në Bruksel masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Kosova ka synim të kamotshëm anëtarësimin në BE, por ajo vijon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Kërkesa e saj për anëtarësim, e bërë në dhjetor 2022, nuk është shqyrtuar ende.

Ndërkohë, Osmani udhëtoi në Shtetet e Bashkuara këtë javë, ku zhvilloi takime edhe me zyrtarë të tjerë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Të mërkurën, ajo tha se pati bisedë “përmbajtësore” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026