Ushtarët e FSK u futën gabimisht në Veri, reagon KFOR
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.
Ky qëndrim i KFOR-it vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.
KFOR-i tha se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut dhe shpejt u largua që aty.
“KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u riktheksua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, tha KFOR në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes. Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.
Kjo ngjarje nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët e cilësuan si shkelje të marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri, teksa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se kjo ngjarje ka rritur tensionet.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.
FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.
LEXONI GJITHASHTU:
Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona
11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik
11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra të vizave nga BE për qytetarët rusë
- 16:57 Ambasadori francez: Franca do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë Rafale dhe Mirage 2000-5
- 16:53 Bayer Leverkusen shkarkon Hjulmandin, e zëvëndëson Martinez Novell
- 16:48 Ndërtimi në Zvërnec, Rama zbulon arkitektin: Artist i madh i natyrës. Prezantoi në Tiranë vizionin e tij
- 16:41 Udhëheqësi i Hezbollahut hedh poshtë planin e armëpushimit Liban-Izrael: Negociatat janë të turpshme
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta