Osmani bisedon me komandantin e ri të KFOR-it për “kërcënimet me dronë” nga Serbia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi të mërkurën me komandantin e ri të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë se vendi i saj po përballet me “kërcënime me dronë” nga Serbia.
Në takim me gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, i cili u riemërua komandant i KFOR-it javën e kaluar, Osmani bisedoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, tha Presidenca e Kosovës.
“Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë.
Por, as ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, e as drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk kishin dhënë hollësi rreth këtyre pretendimeve, apo kur kishin ndodhur këto shkelje të dyshuara me dronë.
KFOR-i, në anën tjetër, i tha Radios Evropa e Lirë më 26 shtator se nuk kishte vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikonin në sigurinë e gjithë vendit.
Misioni paqeruajtës i NATO-s gjithashtu shtoi se “nuk donte të spekulonte mbi raportimet për fluturimin e dronëve të paautorizuar mbi hapësirën e Kosovës”.
Osmani u ankua për “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia edhe në një takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, javën e kaluar.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
LEXONI GJITHASHTU:
“Pres më shumë nga Shqipëria”, Ministri Sveçla i ashpër me Tiranën zyrtare për qëndrimin ndaj
“Do bënte spastrim etnik në Kosovë”, Sveçla: Daçiç dhe Vuçiç pasardhës të Millosheviçit
Abdixhiku pranon Kuvendin e jashtëzakonshëm për shkarkimin e tij, ndërpret negociatat me Kurtin
- 09:48 Pickford harroi shishen e ujit në fushë, reagimi i lojtarëve të Argjentinës pasi gjetën shënimet sekrete për penalltitë (VIDEO)
- 09:27 Vizita e Von der Leyen në Kiev, momenti kur presidentja e KE-së dërgohet në bunker pas alarmit për sulm ajror (VIDEO)
- 09:18 Të dërguarit e BE-së nuk arrijnë të bien dakord për paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë
- 09:10 Irani paralajmëron SHBA-në: Do të shkatërrojmë infrastrukturën rajonale nëse goditet infrastruktura jonë
- 09:09 Dy anije përmbysen në brigjet e Mianmarit, humbin jetën mbi 500 persona
- 09:02 Iu gjetën 4 armë zjarri dhe municione në banesë, vihet në pranga 21-vjeçari në Shkodër