Drejtoria e Doganave bllokon “Bankers”, pezullohet operacioni i nxjerrjes së naftës
“Bankers Petroleum Albania” njofton se aktiviteti prodhues dhe financiar i Kompanisë në impiantin e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz është bllokuar në mënyrë arbitrare dhe në tejkalim të procedurave ligjore. Ky bllokim është bërë me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat Bankers thekson se vendimi është marrë në mënyrë arbitrare në kundërshtim me “Vendimin e Përkohshëm Nr. 3869/2, datë 17.07.2019, ende në fuqi; Afatin 5-vjeçar të parashkrimit, neni 102 i Ligjit për Akcizat; Nenit 11 dhe 51 të Ligjit për Akcizat.
“Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
Ky bllokim ka sjellë ndalimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se:
“Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme. Për informacion: nafta bruto lëviz vetëm në gjendje të ngrohtë; nëse ftohet, ngrin dhe nuk lëviz më. Për më tepër, mungesa e kapaciteteve depozituese për një kohë të gjatë do të sjellë domosdoshmërisht ndërprerjen dhe ndaljen e vendburimit, së bashku me të gjitha pasojat e padëshiruara që lidhen me to.”
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë.
Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh.
420 punonjësit e BPAL-së dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore, ofruesve të shërbimeve dhe partnerëve të biznesit, përfshirë edhe rreth 1.300 punonjës të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol sh.a. (e cila varet tërësisht nga prodhimi para-ekzistues që i dorëzon BPAL), rrezikojnë të mbeten pa punë. Po ashtu, rreth 12 kilometra tubacione nafte, depozita naftëmbajtëse, mbi 1.000 puse nafte, impiante përpunimi, etj. (investime të BPAL-së që janë në pronësi të shtetit shqiptar), të cilat duhet të mirëmbahen 24 orë në ditë, rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Bankers.
“Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë
Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:55 Shpërthim tritoli në derën e një dyqani në Laç, panik te qytetarët
- 12:48 “Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor
- 12:13 Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
- 12:12 SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:10 Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje