Nga anëtarësimi i Kosovës, reformat dhe Ukraina, çfarë deklaroi Osmani në Bruksel

17 Dhjetor 2025 | 11:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar në Bruksel aty ku do të marr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të rajonit.

Në një intervistë, Osmani ka folur rreth perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo theksoi se fati i Kosovës është Bashkimi Evropian për të cilin sipas saj Kosova ka punuar prej shumë kohe.

E pyetur se a do të anëtarësohet Kosova në BE, Presidentja tha se: “Është fati ynë, është diçka për të cilën ne kemi punuar për shumë kohë. Kemi aplikuar para ca viteve dhe po shpresojmë që të jemi në tryezën e Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si një identitet, një shtet dhe një komb, ne kemi kontribuar në vlerat, pas të cilave Bashkimi Evropian ka qëndruar për shekuj. Edhe pse besojmë se është një proces kompleks, nëse kriteri me bazë në meritë do të ishte përdorur, Kosova do të ishte duke kryesuar tani. Por, është e komplikuar për shkak të pesë vendeve që nuk na njohin, për të cilët shpresojmë se do të kuptojnë se nëse Kosova bëhet pjesë e Bashkimit nuk do të përfitojnë vetëm popullsia e Kosovës, por, është edhe me rëndësi strategjike për të tërë kontinentin”.

Lidhur me reformat, Osmani nënvizoi se nga këndvështrimi i BE-së, Kosova është në 100% përputhje me politikat e Bashkimit Evropian për sigurinë e huaj.

“Në aspektin e sundimit të ligjit ne jemi kryesues. Duke u bazuar në indekset ndërkombëtare si ai i bërë nga Gallup International, Kosova është e para në Evropë në indeksin e sundimit të ligjit. Është e treta në botë kur bëhet fjalë për luftën e krimit dhe korrupsionit. Ky ka qenë prioritet për institucionet tona dhe tani kemi indeksin më të ulët të korrupsionit në rajon. Pra, këto janë disa nga çështjet për të cilat kemi punuar shumë. Në aspekt të reformave ekonomike, prapë bazuar në raporte të Bashkimit Evropian, ne jemi më të mirët në rajon. Në aspekt të reformave administrative, jemi më të mirët në rajon.

Nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës foli edhe për çështjen e Ukrainës, çështje ndaj së cilës ajo shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e këtij vendi në BE.

“Ne përkrahim anëtarësimin Ukrainës në Bashkimin Evropian, kjo shkon përtej reformave të brendshme në shtetet përkatëse. Nëse dëshirojmë që Evropa të jetë e plotë, e lirë dhe në paqe, e cila ishte ëndrra e themeluesve, ne duhet të ecim para. Dhe sigurisht, do të donim që Ukraina të përfundonte të gjitha reformat që nevojiten edhe për neve të tjerëve. Është me rëndësi sigurie gjithashtu. Armiqtë si Kina, Rusia dhe Irani nuk lënë hapësirë pa përdorur. Pra, nuk ka vakum, nëse BE dhe marrëdhëniet transatlantike nuk ndikojnë në Ballkanin Perëndimor, atëherë dikush tjetër do të vijë. Jo për të bërë bamirësi, por, sepse kanë interes strategjik. Prandaj, duhet të sigurohemi që Ukraina dhe Ballkani Perëndimor të ecin para”, tha Vjosa Osmani.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përmbyset kamioni me inerte në aksin aksin Elbasan-Peqin, bllokohet qarkullimi

Një kamion i ngarkuar me inerte është përmbysur këtë të mërkurë në aksin rrugor Elbasan–Peqin, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Paraprakisht dyshohet se...
16:34 | 08/07/2026

Baste sportive të paligjshme dhe cannabis në lokal, dy të arrestuar në Tiranë (VIDEO)

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, pasi zbuloi një lokal të përshtatur për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe përdorimin e lëndëve...
15:53 | 08/07/2026

Propozimi për statusin e “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Kalaja, reagon Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë në një reagim këtë të mërkurë ka reaguar lidhur me vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për...
11:18 | 08/07/2026