Stadiumi i ri dhe 24 sporte, Përparim Rama jep detajet kyçe për “Prishtina 2030”
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar rëndësinë monumentale të organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, duke theksuar punën e vazhdueshme, projektet infrastrukturore dhe sfidat e përgatitjeve.
Takimi i fundit me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) shënon një hap kyç në finalizimin e planifikimit për këtë ngjarje historike.
Rama ka theksuar se Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat do të mbahen në Prishtinë, përfaqësojnë një ngjarje madhore që tejkalon rëndësinë lokale dhe paraqesin një mundësi të artë për t’u shfaqur para botës.
“E dini që jemi duke bërë punë të njëpasnjëshme për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, pra “Prishtina 2030”, një event monumental faktikisht jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë Kosovën. Kemi mundësinë për ti treguar botës çfarë nikoqir të mrekullueshëm jemi, edhe për këtë arsye është me rëndësi që të përgatitemi për këto lojëra”, theksoi Rama.
Sakaq, Rama ka folur edhe për përfundimet e punës së fundit të konsultimit, duke detajuar numrin e lojërave të ndryshme që do të inkuadrohen dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë për disiplinat specifike.
“Po i diskutojmë mundësitë e inkuadrimit të lojërave të ndryshme, pra flitet këtu diku rreth 22 deri 24 lojëra të ndryshme, të cilat do të organizohen në kryeqytet dhe në pjesë të ndryshme të Kosovës, e po ashtu e dimë që për sailing, pra për lundrim, e kemi edhe Durrësin si pjesë të propozimeve për Lojërat Mesdhetare në kryeqytet në vitin 2030.
Pra janë të gjitha këto diskutimet, prezantimet edhe vendimmarrjet për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030”, deklaroi ai.
Rama ka shtuar se, megjithëse fillimisht pati një periudhë më të ngadaltë të punës, tashmë proceset po ecin me hapa të shpejtë dhe ai shpreh bindjen e plotë se nuk do të ketë asnjë problem në përgatitjen e eventit në afatin e caktuar.
“Po them kemi pasur ndoshta pak ashtu një proces pak të zbehur gjatë dy viteve të para, por tani i kemi të gjitha të gjitha frontet e hapura, po ecim me hapa të shpejtë edhe jam shumë optimist që nuk do të kemi asnjë problem për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030”, bëri të ditur Rama.
Ndërkohë, kryetari ka folur edhe për planet infrastrukturore, veçanërisht për stadiumin e ri që do të ndërtohet në kuadër të Fshatit Olimpik. Ai thekson se ky stadium plotëson kushtet për të qenë edhe stadiumi kombëtar i vendit.
“Unë mund të flas për stadiumin e ri të Prishtinës, të cilin e kemi pjesë të masterplanit në Fshatin Olimpik edhe këtë jemi duke e shtyrë përpara. Ky normal që mundet të jetë edhe stadiumi kombëtar i vendit sepse po e kemi planifikuar me një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, edhe këtë po e shtyjmë përpara. Ky i duhet kryeqytetit dhe normal që mund të përdoret edhe si stadium kombëtar, nëse po them qeveria edhe pajtohet edhe vendosë që të bashkëpunojnë me ne dhe ta shtyjmë këtë proces përpara.
Nëse vendosin që stadiumi kombëtar të jetë diku tjetër, normalisht edhe ajo është e mirëseardhur sepse sa më shumë që të zhvillojmë kapacitet infrastrukturor për të gjithë Kosovën, aq më mirë për secilin qytetar, për secilin qytet dhe për vendin tonë”, deklaroi në fund Rama.
Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar.
LEXONI GJITHASHTU:
KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë
Kurti në Greqi: Demokracitë duhet të fuqizohen përballë autokracive dhe sfidave globale
Policët kosovarë i çojnë të fala Trumpit, i japin dhurata pastorit amerikan
- 13:15 Mrekulli nën rrënoja në Venezuelë, nëna dhe fëmijët nxirren të gjallë 11 ditë pas tërmetit
- 13:13 A mund ta ndërpresë Trump në mënyrë të njëanshme tregtinë me Spanjën?
- 13:10 Si Trump hartoi sulmet ndaj Iranit nga Turqia
- 12:59 E pazakontë apo e parashikueshme? Si po e dominon Evropa Kupën e Botës
- 12:47 Kallas: Sulmet e reja nga Irani dhe SHBA-të ndërlikojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës
- 12:45 Trump urdhëroi ndërprerjen e tregtisë me Spanjën, reagon Madridi