Përfundon numërimi i të gjitha votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

9 Janar 2026 | 11:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.

Tani, KQZ-ja është e gatshme që të shpallë rezultatin përfundimtar, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

“Por, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, theksoi Elezi.

Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin ato me postë, numërimi i të cilëve përfundoi në orën 02:00 të 9 janarit.

Pikërisht për votat me postë, në PZAP është dërguar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës e cila ka kërkuar shfuqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë.

Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja e Albin Kurtit ka shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhje ndonjëherë, duke fituar 51.11 për qind të votave apo përkthyer në vota, ky subjekt mori 486.994 vota që i japin 57 vende në Kuvend.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, është personi më i votuar në Kosovë duke marrë 40.4.023 vota. Partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 vende në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar – do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga radhët e komunitetit serb do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit. Ndërkaq, të dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë në disa parti dhe koalicione.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 për qind e trupit votues. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se synon formimin e shpejt të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ishin rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin Kuvendin deri më 10 tetor.

Kurti më pas nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e Qeverisë, por as Glauk Konjufca nga LVV-ja./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Serbia arreston në kufi 73-vjeçarin nga Kosova për krime lufte, familjarët hedhin poshtë akuzat

Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka njoftuar se e ka arrestuar një person nga Kosova me iniciale O.S Ai u kap në pikëkalimin kufitar...
17:12 | 03/07/2026

Prokuroria Speciale ngre aktakuza ndaj 6 ish-gardianëve serbë për krime lufte kundër shqiptarëve

Prokuroria Speciale këtë të premte ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy aktakuza me propozim për gjykim në mungesë, për veprën...
16:54 | 03/07/2026

Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë

Të tjera ankesa janë dërguar pak para afatit të fundit kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në...
15:29 | 03/07/2026