Përmbytjet, Rama: Gati plani për shpërblimin e dëmeve, presim rezultatin nga verifikimi
Kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka gati planin për shpërblimin e dëmeve nga përmbytjet që prekën vendin ditët e fundit.
Duke folur në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se niveli i dëmeve gjatë përmbytjeve të fundit është shumëfish më i vogël se ai i përmbytjeve që ndodhnin 10 vjet më parë, dhe kjo në sajë të investimeve shumë të mëdha në infrastrukturë.
“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’ është motoja ime dhe e jona sa herë që përballemi me fatkeqësi. Të goditurit e kësaj fatkeqësie dua t’u them se qëndrojmë krah tyre për banesat dhe gjënë e gjallë, për rregullimin e çdo dëmi me të cilin përballemi. Është tashmë gati plani me skenarët për dëmshpërblimet dhe pritet nisja e shpërndarjes së tyre pas rezultateve nga verifikimi në terren”, tha Rama.
Faktori njerëzor tha kryeministri ndikoi ndjeshëm në përmasat që mori situata pas reshjeve të dendura të shiut, duke paralajmëruar ndëshkim për këdo që hedh mbetjet në kanale e prita.
“Faktori njerëzor ka peshën e vet. Unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale. Do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe çështjen për pensionistët teksa cilëson se kanë përfituar këtë fillim viti një rritje pensioni.
Rama thotë se kjo arritje është një çlirim për të dhe se është dashur vite punë e reforma për të arritur këtë stabilitet financiar.
“Ashtu siç u zotuam në fushatën e 83 mandateve dhe siç ngritëm 83 kartona të gjelbër në Kuvend pro rritjes graduale të pensioneve gjatë këtij mandati historik, tanimë e kemi nisur kthesën. Sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti.
Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave, u desh shumëçka që të vinim në pikën ku një Shqipëri tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë, të bëhej vendi i rritjes së pensioneve, pa minuar themelet e stabilitetit financiar të shtëpisë sonë të përbashkët”, tha ai.
Gjatë podkastit “Flasim”, Rama ka komentuar edhe mbi samtimin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.
Rama thotë se akoma Shqipëria nuk ka një drejtësi të paanshme apo një drejtësi cilësore pavarësisht se është e pavarur.
“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë.
Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish.
Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, tha kryeministri Edi Rama.
U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten
Sekuestrohet vila në Dhërm, SPAK njoftim për Ballukun
- 15:04 U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 14:50 Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona
- 14:50 Mojtaba Khamenei shpall fitoren ndaj SHBA: Armiku u poshtërua në fushën e betejës
- 14:46 Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten
- 14:43 Kursi i Euros me Lekun bie përsëri, po shkon drejt pragut të 95 lekëve
- 14:39 Treni i mallrave përplaset me një kamion në SHBA, 1 viktimë dhe 1 i plagosur rëndë! 17 vagona dalin nga shinat