Shtriheshin nga Amerika Latine në vendet e BE, SPAK dërgon për gjykim 10 persona për trafik droge

27 Janar 2026 | 16:41

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar këtë të martë për gjykim 10 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal, “ndaj një grupi personash të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal”.

Në kuadër të këtij procedimi janë marrë të pandehur gjithsej 11 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj, për të cilët SPAK bën me dije se “kanë vepruar në formën e një rrjeti kriminal të mirëorganizuar, me shtrirje ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian”.

Sipas SPAK, të pandehurit Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez dhe Geis Sejfullai akuzohen për “trafikim të lëndëve narkotike, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe për veprën penale “grup i strukturuar kriminal”, të kryer në formën e drejtimit.

Ndërkohë, Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

SPAK njofton gjithashtu se Artjon Çaushllari (alias Gjika), Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez dhe Baki Huqi janë marrë të pandehur edhe për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”, kryer në ambientet e një banese dhe të lokalit “Bar Tahiti” në fshatin Manzë, Durrës, gjatë datave 7–8 shkurt 2024.

Nga aktet hetimore rezulton se grupi kriminal kishte përgatitur infrastrukturën për importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave me “lëkurë gjedhësh”, ku ishin fshehur 90 kilogramë kokainë, me vlerë tregu rreth 3.6 milionë euro.

“Ngarkesat kanë mbërritur në Portin e Durrësit në muajin korrik dhe nëntor të vitit 2024 dhe janë magazinuar në disa ambiente në zonën e Mulletit, Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Prokuroria thekson se hetimet kanë zbuluar edhe përfshirjen e personave të tjerë, ndaj është vendosur ndarja e çështjes dhe vijimi i hetimeve në një procedim të ri penal pa autor.

SPAK bën me dije se ky hetim është zhvilluar nga prokurorët e posaçëm dhe hetuesit e BKH-së, duke përdorur “një sërë teknikash të posaçme të hetimit”, ndërsa bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për goditjen e këtij rrjeti.

Procedimi penal rrjedh nga një çështje e mëparshme e vitit 2022, lidhur me importimin nga Kolumbia të një ngarkese me “pleh organik artificial”, nga e cila do të përftoheshin 485.5 kilogramë kokainë. Për këtë çështje, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë dhe dënuar të pandehurit, vendim që është lënë në fuqi edhe nga Apeli, ndërsa gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian vijon ende.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale

Efektivi i plagosur, Edison Adri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në pjesën e nofullës. Burime bëjnë me dije se operaciono ka rezultuar i suksesshëm...
15:04 | 04/06/2026

Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten

Qeveria ka miratuar projektligjin “Për censin e bujqësisë”, një proces që synon të regjistrojë në mënyrë të plotë njësitë ekonomike bujqësore në të gjithë territorin...
14:46 | 04/06/2026

Sekuestrohet vila në Dhërm, SPAK njoftim për Ballukun

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro preventive mbi një vilë një resort në Gjilekë të Dhërmiut. SPAK njofton se...
14:03 | 04/06/2026