Tabaku: Ligji penal po përdoret si mjet presioni politik ndaj medias

27 Janar 2026 | 21:18

Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se po përdor ligjin penal si instrument presioni politik, duke cenuar drejtpërdrejt lirinë e medias në vend.

“Sot ligji penal përdoret si presion, e përdorni si mjet presioni politik,” u shpreh Tabaku, duke kërkuar shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal.

Sipas saj, “shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale”.

Tabaku bëri të ditur se prej disa muajsh, së bashku me një grup ekspertësh, gazetarësh, juristësh dhe aktivistësh, kanë punuar për një amendament të Kodit Penal.

“Kjo nuk është një nismë burokratike, por një alarm për median në Shqipëri, këmbanat e së cilës bien aq fort saqë ata që kanë mbyllur veshët nga propaganda e pushtetit nuk i dëgjojnë,” tha ajo.

Duke iu referuar treguesve ndërkombëtarë, Tabaku theksoi se situata e medias është përkeqësuar ndjeshëm ndër vite.

“Në vitin 2004 Shqipëria renditej e 34-ta në botë për lirinë e medias, në 2014 ishte në vendin e 85, ndërsa sot është në vendin e 99. Ky është rrënim dhe certifikim ndërkombëtar i kapjes së medias nga interesat e pushtetit,” deklaroi deputetja demokrate.

Ajo shtoi se situata bëhet edhe më shqetësuese kur analizohet indeksi i demokracisë.

“Shqipëria klasifikohet si autokraci elektorale,” tha Tabaku, duke nënvizuar se vetëm gjatë vitit 2024 janë shënuar 45 incidente të rënda ndaj gazetarëve, ku shumica e rasteve kanë në shënjestër gazetare gra.

“Nuk ka integrim europian me gazetarë që rrinë nëpër gjykata për shkrimet e tyre. Ligji penal nuk mund të përdoret për të mbrojtur reputacionet e politikanëve,” u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, propozimi i PD-së bazohet në dy shtylla kryesore. “Shtylla e parë është liria: kërkojmë shfuqizimin e neneve 119 dhe 120. Pranga dhe qelia nuk mund të jenë kërcënim për fjalën e lirë,” tha ajo, duke shtuar se ankesat për shpifje mund të trajtohen përmes ligjit civil.

Ndërkohë, shtylla e dytë parashikon ashpërsimin e dënimeve për veprat penale ndaj gazetarëve.

“Kush prek një gazetar duhet të dënohet njësoj. Gazetari është shërbyes publik,” theksoi Tabaku.

“Nuk ka absolutisht asgjë politike në këtë amendament. Ky është një ligj që duhet ta bashkojë Parlamentin,” përfundoi ajo, duke shtuar se zgjedhja është e qartë: “ose votohet kundër, ose Shqipëria mbahet në këtë listë”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja

Sitiata e krijuar në Zvërnec dhe protestat qytetare që pasuan incidentet e ndodhura kanë zbritur në Kuvend dhe janë shoqëruar me përplasje mes deputetëve të...
12:05 | 04/06/2026

Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë

Gjatë seancës plenare sdot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, pati diska replika me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Në fjalën e...
11:55 | 04/06/2026