“Territorialja”, Mazniku: Kemi humbur kohë, ja si do funksionojë Komisioni

2 Shkurt 2026 | 16:54

Partia Socialiste do të udhëheq e vetme reformën territoriale. Partia Demokratike iu përgjigj me jo ultimatumit të Partisë Socialiste për të qenë e pranishme në mbledhje. Ajo e bojkoti atë. Nesër në kuvend pritet votimi i projekt-vendimit që ndryshon funksionimin e komisionit të posaçëm për territorialen. Socialistët do të kenë shumicën ndërsa demokratëve i hiqet e drejta e bashkë-drejtimit dhe vetos.

Bojkoti i “territoriales” nga demokratët nuk ishte një surprizë për socialistët. 

“Kur komisioni u krijua me kërkesë të opozitës, pavarësisht përbërjes së parlamentit dhe raporteve të mazhorancës dhe opozitës, u ra dakord, duke parë parsysh që rëndësinë që  reforma territoriale ka, që komisioni të ketë antarësi të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. U ra dakord gjithashtu, që të kishim një element bashkëkryesie, t’i jepnim gjithë mundësitë për të pasur pjesëmarrjen e opozitës dhe për t’i dhënë asaj garanci speciale dhe më tej se sa është edhe praktika më e mirë parlamentare europiane, që të kishin një zë në këtë proces të rëndësishëm.

Kjo është sot mbledhja e katërt në të cilën opozita nuk vjen. Kemi humbur thuajse dy muaj kohë në një reformë shumë të rëndësishme, në një reform që është në ngut kohe.

Siç e kemi shpjeguar, duke qenë se zgjedhjet e ardhshme vendore ndodhin në prill apo maj të vitit 2027 është shumë e rëndësishme që reforma territoriale të përmbyllet, siç janë dhe praktikat më të mira europiane rreth një vit para zgjedhjeve.

Synimi ynë është që t’i qëndrojmë besnik këtij parimi; duhet të përmbyllim reformën territoriale deri në korrik të këtij viti”, tha Mazniku.

Mbledhja ishte për procedurë dhe për t’i dhënë opozitës se mazhoranca nuk iu pret më. Pasi nesër të votohet në parlament, komisioni i posaçëm për një nga reformat më të rëndësishme për qeverisjen e pushtetit vendor do të funksionojë ndryshe. Arbjan Mazniku nuk do ta ndajë drejtimin me Luçiano Boçin. Ai do të jetë kryetar i vetëm. Përbërja nuk do të jetë më e barabartë tetë me tetë, PS-PD. Socialistët do të kenë shumicën me një deputet më shumë. Po aq bie vetoja dhe Partia Socialiste do ta udhëheq e vetme dhe pas asnjë pengesë konfigurimin e ri të hartës territoriale. Arsyeja e nxitimit për Arbjan Maznikun është:

“Është e rëndësishme t’i shpjegojmë publikut hapat  e mëtejshme të punës që kemi për të bërë së bashku. Hapat e punës do të jenë të ndarë në tre kapituj të mëdhenj.  Kapitulli i parë që do të ndodhë që tashmë qysh në muajin shkurt, komisioni do të jetë i ndarë në 3 grupe të mëdha ku secili grup do të mbuloj katër qarqe. Do të synohet që gjatë muajit shkurt ky grup, me1/4 e komisionit do të shkojnë bashkë me ekspertët që do t’i bashkohen grupit, bashkë me deputetët e zonës, të takojnë kryetarët e bashkive, anëtarët e këshillit bashkiak, bizneset, shoqërinë civile, ekspertët lokalë, për të diskutuar në të gjithë territorin në lidhje me problematikat, sfidat dhe nevojat që pushteti vendor ka përpara. Kjo do të jetë faza e parë e konsultimit publik. Në muajin mars do të kemi fazën e dytë të konsultimeve, e cila do të jetë faza e konsultimeve tematike. Sërish, komisioni do të jetë i ndarë në tre grupime, njëri grup do të merret me territorin dhe qeverisjen, grupi i dytë do të merret me funksionet e pushtetit vendor dhe grupi i tretë do të merret me financimin e pushtetit vendor dhe secilin prej këtyre 3 grupeve do të ketë konsultime tematike në fushën e vet. Në muajin prill-maj do të fillojmë hartimin e procesit formal të ligjit dhe opsioneve specifike për reformën. Kur shprehem për rëndësinë dhe nxitimin që ky proces ka, është e rëndësishme që t’i shpjegojmë edhe publikut që një reformë e tillë, e cila ka nevojë për një konsultim shumë të madh publik, në të gjithë territorin nuk është një reformë që bëhet në zyrë, nuk është një reformë që bëhet vetëm nga anëtarët e komisionit, por është një reformë e cila duhet të përfshijë të gjitha institucionet lokale vendore dhe qendrore, një diskutim tërësor për mënyrën më të mirë sesi mund të suportohet pushteti vendor për të qenë më efikas, më efiçentë dhe për ti shërbyer më mirë qytetarëve”-tha Mazniku

Ndryshimi i formulës së funksionimit nga një komision bi-partizan, në të njëanshëm, Partisë Demokratike nuk i hiqet e drejta e pjesëmarrjes, por tanimë jo me të njëjtat merita si kolegët socialistë.

Arsyeja e bojkotit e thënë nga PD-ja është se PS kërkon të bëjë një reformë territoriale të njëanshme dhe nuk i merr në konsideratë propozimet e saj. Nga ana e saj PS deklarohet se kërkesat e kolegëve të tyre duhet të vlerësohen përgjatë procesit të diskutimit dhe në fund të vendoset.

Për herë të fundit harta e Shqipërisë u ndryshua në 2015. Ikën komunat dhe njësitë e qeverisjes vendore dhe territori u nda në 61 bashki. Partia Demokratike e asaj kohe e bojkotoi votimin në parlament dhe akuzoi Partinë Socialiste se ajo u bë vetëm për qëllime elektorale dhe jo për mirëqeverisjen e pushtetit vendor.

Sot jemi në të njëjtën gjendje. PD është në bojkot për të njëjtën arsye me akuzën e  ndryshimit të kufijve të brendshëm të bashkive për llogari elektorale të PS-ës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
07:56 | 04/06/2026

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026