Operacioni i madh kibernetik i SHBA, sekuestrohen 4 faqet e Iranit! Përmendet dhe Shqipëria

20 Mars 2026 | 09:32

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti që dyshohet se përdoreshin për sulme dhe operacione të ndikimit psikologjik.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, domenet e bllokuara,  Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to, ishin të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit. Autoritetet theksojnë se këto platforma shfrytëzoheshin për sulme kibernetike, publikim të të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit në Teheran.

Në njoftimin zyrtar, zyrtarë amerikanë theksuan se përhapja e përmbajtjeve me karakter ekstremist në hapësirën digjitale përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa u zotuan për bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët.

Hetimet e FBI-së kanë zbuluar se aktiviteti i këtij rrjeti shkonte përtej publikimeve online. Një adresë e lidhur me grupin dyshohet se ka dërguar kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve dhe disidentëve iranianë në SHBA dhe vende të tjera. Në disa raste, autorët pretendonin lidhje me grupe kriminale, duke ofruar shpërblime të mëdha financiare për eliminimin e objektivave të tyre.

Shqipëria në fokus të sulmeve

Shqipëria përmendet drejtpërdrejt në këtë operacion, pasi sipas autoriteteve amerikane, dy prej faqeve të sekuestruara janë përdorur për publikimin e materialeve të vjedhura nga institucionet shtetërore shqiptare.

Sulmet ndaj Shqipërisë lidhen me qëndrimin e saj ndaj opozitës iraniane, konkretisht praninë në territorin shqiptar të grupit Mujahedeen e-Khalq (MEK), i cili kundërshton regjimin iranian.

Në të njëjtën kohë, zhvillimet vijnë pasi Shqipëria e ka shpallur Iranin si “shtet sponsor të terrorizmit”, duke rritur më tej tensionet mes dy vendeve.

FBI njofton se hetimet vijojnë, ndërsa paralajmëron se të gjithë personat e përfshirë në këto aktivitete do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që ndihmojnë në identifikimin e autorëve të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, teksa gjatë një operacioni policor efektivi i Shqiponjës Enea Mekolli humbi...
09:33 | 04/06/2026

Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
08:50 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026