Protesta të dhunshme në Australi, turmat kërkojnë të marrin vrasësin e 5-vjeçares
Përplasje të dhunshme janë regjistruar mbrëmjen e së enjtes jashtë një spitali në Alice Springs, ku një turmë e zemëruar kërkonte dorëzimin e një burri të akuzuar për vrasjen e një fëmije.
Pamjet dramatike tregojnë protestues që hedhin gurë dhe shkopinj ndaj policisë, ndërsa shkatërrojnë automjete dhe i vënë flakën një furgoni policie. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa disa nga bombolat e tymit u kthyen mbrapsht drejt tyre.
Komisioneri i Policisë së Territorit Verior, Martin Dole, e përshkroi situatën si “anarki absolute”.
Ngjarja lidhet me arrestimin e 47-vjeçarit Jefferson Lewis, i dyshuar për vrasjen e një vajze 5-vjeçare, e njohur si Kumanjayi Little Baby – një pseudonim i përdorur nga komuniteti indigjen për arsye kulturore gjatë periudhës së zisë.
Trupi i vajzës u gjet pas katër ditësh kërkimesh intensive pranë një lumi, rreth 5 kilometra larg vendit ku ishte parë për herë të fundit. Lewis u kap jo nga policia, por nga një turmë e zemëruar, e cila e rrahu rëndë përpara se të ndërhynin autoritetet.
“Në momentin që e morëm në kontroll, ai ishte pa ndjenja dhe po trajtohej nga ambulanca, e cila gjithashtu u sulmua,” deklaroi Dole.
I dyshuari u dërgua në spitalin e Alice Springs, ku qindra persona u mblodhën duke kërkuar që ai t’u dorëzohej për “drejtësi”.
Përfaqësues të komunitetit indigjen bënë thirrje për qetësi. Plaku i Warlpiri, Robin Granites, theksoi se dhuna nuk përfaqëson vlerat e tyre, ndërsa aktivisti Michael Liddle paralajmëroi se retorika e “hakmarrjes” vetëm sa përshkallëzon situatën.
Policia ka paralajmëruar se do të ndjekë penalisht të gjithë personat e përfshirë në dhunë.
Kryeministri australian Anthony Albanese shprehu ngushëllimet për familjen e vajzës, duke theksuar se “asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë dhimbjen e tyre”.
Rasti ka rikthyer në vëmendje tensionet e vazhdueshme mes policisë dhe komuniteteve indigjene në Territorin Verior, si dhe shqetësimet për sigurinë e grave dhe fëmijëve indigjenë, të cilët përballen me nivele disproporcionale dhune.

Venezuelë, familja e ish-lojtarit të Atromitos, Lucas Trejo, gjendet e vdekur në rrënoja
Australia shtrëngon kontrollin mbi rrjetet sociale, gjoba deri në 99 milionë dollarë për shkeljen e ligjit
Një tërmet i fortë godet Japoninë, sa ishte magnituda
- 12:01 Venezuelë, familja e ish-lojtarit të Atromitos, Lucas Trejo, gjendet e vdekur në rrënoja
- 11:19 Australia shtrëngon kontrollin mbi rrjetet sociale, gjoba deri në 99 milionë dollarë për shkeljen e ligjit
- 10:43 Dy automjete përfshihen nga flakët gjatë natës në Elbasan, nisin hetimet
- 10:29 Aksident në Novoselë, përplasen një makinë dhe një motor, plagoset drejtuesi i motomjetit
- 10:23 “Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, Rama: Protestat po ushqehen nga aktorë që kërkojnë kaos
- 10:22 Ndërron jetë i burgosuri në Shkodër, ndodhej në qeli me të birin