Policia Rrugore me masa të reja: Rriten kontrollet për shpejtësinë dhe drejtimin e rrezikshëm

6 Maj 2026 | 11:15

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar masat e reja të Policisë së Shtetit për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Sipas tij, nëpërmjet Drejtorisë së Policisë Rrugore janë marrë një sërë masash shtesë në kuadër të mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave.

Në këtë kuadër janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse dhe janë pajisur të gjitha strukturat e Policisë Rrugore me dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe drogëtestues.

Ziu bëri të ditur se në akset rrugore nacionale patrullat nuk do të ndalojnë automjete pa shkak, por do të bëjnë monitorim përmes pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme. Shkeljet e konstatuara do të dokumentohen dhe do të pasqyrohen në kohë reale në sistemin e-Albania.

Sipas tij, ndërhyrja e patrullave do të bëhet vetëm në rastet e sjelljeve agresive në rrugë, si shpejtësi e lartë, parakalime të rrezikshme apo manovra të gabuara.

Në zonat urbane, Policia Rrugore do të vijojë kontrollet për alkoolin, shpejtësinë, përdorimin e celularit, rripin e sigurimit dhe parakalimet e gabuara, ndërsa parkimet e paligjshme do të jenë në fokus të veçantë.

“Njëkohësisht janë evidentuar drejtuesit e automjeteve me shkelje të përsëritura dhe iu është kërkuar strukturave të Policisë Rrugore, që të marrin masa të menjëhershme për monitorimin dhe mbajtjen në kontroll të vazhdueshëm të këtyre drejtuesve, që janë shkelës të përsëritur të rregullave të qarkullimit, me pasojë për jetën dhe shëndetin”, tha Ziu.

Nga analiza e 4-mujorit të vitit 2026 rezulton se janë arrestuar 1009 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, si dhe janë vendosur dhjetëra mijëra masa administrative për shkelje të ndryshme.

Sipas të dhënave, 82 100 drejtues janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, 27 000 për parakalime të gabuara, rreth 60 000 për mosvendosje rripi sigurimi ose përdorim telefoni, ndërsa 160 000 masa janë vendosur për parkime të gabuara.

Policia thekson se shpejtësia mbetet shkaku kryesor i aksidenteve me pasojë fatale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.

“Sipas statistikave, dallohet qartë se numri më i lartë i aksidenteve me pasojë ka si shkak shpejtësinë dhe më pas vjen sjellja e këmbësorëve, 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash”, tha ai.

Në përfundim, Policia Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit, duke paralajmëruar ndëshkime maksimale për çdo sjellje agresive në rrugë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ndërtimi në Zvërnec, Rama zbulon arkitektin: Artist i madh i natyrës. Prezantoi në Tiranë vizionin e tij

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka zbuliar arkitektin i cili është kontaktuar lidhur me ndërtimin në Zvërnec. Rama shkruan se arkiteti Dong...
16:48 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një deklaratë për mediat nga Korça ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi...
16:22 | 04/06/2026

I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit

Nëna e autorit të vrasjes së policit Enea Mekolli dhe plagosjes së policit Edison Adri është shoqëruar nga forcat e policisë në ambjentet e drejtorisë...
15:39 | 04/06/2026