“Thanë se negociatat u bllokuan, thanë se Shqipëria u ndëshkua”, reagon Edi Rama pas kalimit të IBAR

Dëgjoni lajmin
0:00 / 0:00
22 Maj 2026 | 08:01

Kryeministri Edi Rama reagoi këtë të premte pas kalimit të procesit “IBAR” një ditë më parë, duke e cilësuar zhvillimin si një tjetër fitore për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj kritikëve të qeverisë, duke deklaruar se parashikimet për bllokimin e negociatave dhe ndëshkimin e Shqipërisë nga Bashkimi Europian rezultuan të pavërteta.

“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua”, shkroi kreu i qeverisë, teksa akuzoi kundërshtarët politikë për përpjekje për të dëmtuar imazhin e vendit brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Rama theksoi se më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.

Sipas tij, procesi i integrimit europian po ecën përpara falë “vizionit, punës dhe përkushtimit”, ndërsa e cilësoi Shqipërinë europiane si “një histori suksesi”.

Kryeministri shprehu mirënjohje për institucionet shqiptare, ekipin negociator dhe qytetarët që mbështesin procesin e integrimit, duke e konsideruar këtë moment si “një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë”.

Procesi “IBAR”, i lidhur me vlerësimin e progresit në sundimin e ligjit dhe reformat kyçe për integrimin europian, konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.

Statusi i Kryeministrit Edi Rama:

MIRËMËNGJES

Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi🇦🇱. Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton. Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE. Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Udhëheqësi i Hezbollahut hedh poshtë planin e armëpushimit Liban-Izrael: Negociatat janë të turpshme

Udhëheqësi i Hezbollahut po e ashpërson qëndrimin e tij, duke pretenduar se negociatat me Tel Avivin janë “të turpshme”, ndërsa paralajmëron se siguria në Izraelin...
16:41 | 04/06/2026

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026

Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve

Skëndër Brataj, Drejtor i Urgjencës ka njoftuar mbi gjendjen aktuale të evektivit të plagosur Edison Adri. Brataj shpjegon se gjendja e tij është stabilizuar dhe...
11:22 | 04/06/2026