LIVE- Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij.

4 Qershor 2026 | 10:27

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë, në Bashkinë Maliq.

Polici i Shqiponjave Enea Mekolli humbi jetën dhe efektivi Edison Adri mbeti i plagosur rëndë pas përplasjes me armë me shtetasin Violand Braçellari, i cili gjithashtu mbeti i plagosur.

9 Updates
11:38

Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me Violand Braçellarin, autorin e dyshuar të vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë operacionit të zhvilluar në Maliq.

Sipas burimeve, në momentin e arrestimit Braçellari ka shfaqur gjakftohtësi të plotë. Personat që e kanë shoqëruar me ambulancë tregojnë se, pavarësisht plagëve të marra nga tre plumba në dorë dhe në bark, ai nuk ka shfaqur shenja dhimbjeje apo shqetësimi gjatë transportimit.

Po sipas të njëjtave burime, autori i dyshuar nuk ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë, raportohet se rreth një vit më parë Braçellari dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe në një episod të rëndë dhune ndaj një shtetasi tjetër. Sipas informacioneve paraprake, ai mendohet se e ka tërhequr viktimën zvarrë me kalë për më shumë se dy orë.

🔗 Shpërndaje
11:25

Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve

Skënder Brataj, Drejtor i Urgjencës ka njoftuar mbi gjendjen aktuale të evektivit të plagosur Edison Adri.

Brataj shpjegon se gjendja e tij është stabilizuar dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Për gjendjen e autorit të ngjarjes, Brataj shton se është nisur me ambulancë drejt spitalit të Traumës, pas një ndihme të shpejtë në Korçë.

“Dëmtimet janë jetë kërcënuese por gjatë ndërhyrjes që i është bërë në Korçë dhe gjatë transportit efektivit të plagosur, ai ka qenë stabël jashtë rrezikut për jetën por mbetet në dinamikë vlerësimi për të. Parametrat janë në normë, nuk ka hemorragji dhe tani është stabël. Është futur në sallë. Është dëmtuar tek indet e gojës dhe qafës, ekipi po bën vlerësimin.

Autori ndërkohë është vlerësuar në sapitalin e Korçës. Është stabilizuar dhe është nisur me ambulancë drejt Traumës”, ka thënë Brataj.

🔗 Shpërndaje
11:24

Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie mbeti i plagosur rëndë.

“Sot është një ditë e trishtuar për Policinë e Shtetit. Ne humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi një nga shërbëtorët e saj. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe një tjetër efektiv policie”, u shpreh ai.

 “Është një ngjarje që të lë pa fjalë. Nuk do të doja të isha sot para jush në këto rrethana”, shtoi Hita.

🔗 Shpërndaje
10:55

Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq

Efektivi i ‘Shqiponjave’ Edison Adri që mbeti i plagosur nga operacioni në Lozhan të Maliqit, u transportua për mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës me helikopterin e ushtrisë.

Gjendja e tij raportohet se paraqitet e rëndë për jetën.

Nga kjo përplasje me armë humbi jetën efektivi i policisë, Enea Mekolli. Shkak për këtë ngjarje u bë autori i dyshuar Violand Braçellari. Ky i fundit ish-ushtarak, i shpallur në kërkim ndërsa ishte dënuar në mungesë me 10 vjet burgim nga Gjykata e Korçës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike

🔗 Shpërndaje
10:41

Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq

Seanca e së enjtes në Kuvend nisi me një minutë heshtje në nder të efektivit të vrarë në krye të detyrë në Maliq.

Ishte kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla që kërkoi mbajtjen e 1 minutë heshtje për rënien në krye të detyrës së efektivit të policisë së shteti

“Gjatë një operacioni të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar, i cili prej vitesh i ishte fshehur forcave të policisë në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte mundur t’u shpëtonte rrethimeve, ka rënë në krye të detyrës efektivi i Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur. Autori, pasi ka hapur zjarr, ka mbetur i plagosur dhe është vënë në pranga nga policia.

Në emër të PS kërkojmë mbajtjen e 1 minutë heshtje në nderim të kujtimit të efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli, i rënë në krye të detyrës dhe i sapo shpallur dëshmor i atdheut”, tha Balla.

🔗 Shpërndaje
10:36

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi: Efektivi në Maliq ra në krye të detyrës, e dhimbshme!

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë në Korçë, teksa humbi jetën efektivi i Shqiponjës, Enea Mekolli, dhe mbeti i plagosur, Edison Adri.

Reagimi:

I rëndë dhe i dhimbshëm lajmi për rënien në krye të detyrës të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë një operacioni policor në Maliq.

Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjen e tij, të afërmit, kolegët dhe gjithë Policinë e Shtetit në këtë moment.

Sakrifica e tij në shërbim të ligjit, rendit dhe sigurisë së qytetarëve meriton respektin dhe mirënjohjen më të lartë.

🔗 Shpërndaje
10:31

Bardhi reagon për ngjarjen në Korçë: Autori do të marrë dënimin maksimal dhe të merituar.

Reagim i kryetarit të grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

I tronditur nga vrasja e një punonjësi të Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe plagosjes së kolegut të tij. Dënoj me forcë aktin dhe besoj plotësisht që autori do të marrë dënimin maksimal dhe të merituar.

Ngushëllime të sinqerta familjes, miqëve dhe kolegëve të punonjësit të Policisë të rënë në krye të detyrës dhe uroj me zemër shërim sa më të shpejtë për kolegun e tij të plagosur.

🔗 Shpërndaje
10:29

Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit”, u shpreh ministri.

“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë”, deklaroi Lamallari.

Në reagimin e tij, Lamallari uroi shërim të shpejtë edhe për efektivin e plagosur, Edison Adri.

“Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij”, përfundoi ministri i Brendshëm.

🔗 Shpërndaje
10:28

Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut

Kryeministri Rama ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, duke e cilësuar këtë të fundit Dëshmor të Atdheut.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie dhe është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur  zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!

Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër

Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj, shkruan Rama.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme

Biznesmeni dhe investitori strategjik Pëllumb Gjoka ka folur për herë të parë publikisht lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në kuadër të dosjes “Metamorfoza”,...
11:38 | 04/06/2026

Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet

Këtë të enjte mbahet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku në rend dite janë 6 interpelanca, mes të cilave dy të kërkuara...
11:36 | 04/06/2026

Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve

Skëndër Brataj, Drejtor i Urgjencës ka njoftuar mbi gjendjen aktuale të evektivit të plagosur Edison Adri. Brataj shpjegon se gjendja e tij është stabilizuar dhe...
11:22 | 04/06/2026