Malkaj debat me përfaqësuesin e PS: Kudo që ka protestë do jem aty, Muharremi: Qytetarët kanë zgjedhur vizionin tonë

6 Qershor 2026 | 22:09

Gjatë debatit në emisionin “Review” me Greta Topjana, aktori i njohur Mehdi Malkaj deklaroi se do të vazhdojë të marrë pjesë në çdo protestë kundër qeverisë, duke e lidhur angazhimin e tij me shembjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar.

Malkaj e cilësoi shembjen e teatrit si një akt të papranueshëm, duke argumentuar se me të u zhduk një pjesë e rëndësishme e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Unë do dal gjithmonë. Që në momentin që një kriminel më shembi teatrin, unë nuk e lë më protestën. Kudo që ka protesta, unë do jem në protestë. Nëse do jemi të lirë, nuk e diskutoj fare. Shembi teatrin. Thotë Viktor Hygo: ‘Ai që shemb një teatër, ngre një burg të ri’”, tha Malkaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Alfred Muharremi, mbrojti projektin e teatrit të ri, duke theksuar se godina e mëparshme nuk i plotësonte kushtet moderne dhe se Tirana do të ketë një teatër më funksional dhe bashkëkohor. Sipas tij, transformimi është pjesë e një vizioni më të gjerë zhvillimi.

“Do të ketë një teatër më të ri dhe unë do jem shumë i kënaqur kur të shoh nesër ty të japësh shfaqje dhe të vij të të vizitoj. Do të kesh një teatër më të mirë dhe teatri po ngrihet. Ka një vizion tjetër për teatrin dhe është mbështetur nga shumë artistë.”

Në një kundërpërgjigje, Malkaj shton se: “Kjo është për ty, jo për mua. Se me atë shembje teatri iku historia e teatrit. Nuk ka më histori teatri. Iku Kadri Roshi, iku Sandër Prosi, ikën të gjithë, të gjithë, të gjithë. Ikën malet. Ju e shikoni kështu. Kush ishte kundër teatrit?

Kush të ka thënë ty që s’e dua unë teatrin e ri? Pse ma prish teatrin e vjetër? Këtë dua unë. Po pse nuk shkon në Romë dhe t’i heqësh një tullë Koloseut?”, tha artisti Malkaj .

“Koloseu është perlë në krahasim me teatrin. Ishte një histori e cila pengonte në çdo lloj drejtimi, qoftë nga kushtet mjedisore, kushtet sanitare, territori apo ambienti i papërshtatshëm. U rikonceptua për të qenë një teatër më modern”, tha nga ana tjetër Alfred Muharremi.

Duke kaluar në çështjen e protestave kundër projektit në Zvërnec dhe politikes në tërësi, Muharremi argumentoi se qeveria ka marrë mbështetje nga qytetarët dhe se reformat e ndërmarra, veçanërisht në turizëm dhe integrimin europian, kanë sjellë rezultate konkrete.

“Shqipëria ka një konkurrencë të jashtëzakonshme në lidhje me reformat e bëra kryesisht në turizëm. Ne sot jemi pranë Bashkimit Europian. Është hapur procesi i mbylljes së negociatave të Bashkimit Europian dhe sot lind kjo lloj proteste me justifikimin e Zvërnecit, që ka tre vite si ide. Ajo që dua të them unë është se frymën ta jep shumica”, ka përfunduar këshilltari i Partisë Socialiste.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga ironia te kritikat, pankartat pikante në ditën e 7-të të protestës

Këtë të shtunë është shënuar dita e 7-të që Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur nga qytetarë që po protestojnë. Qytetarët mbajnë në duar pankarta...
20:01 | 06/06/2026

Zgjerohet protesta edhe në Elbasan, në thirrjet e qytetarëve brohoritet për të drejtat e tyre

Mjaft qytetarë janë mbledhur edhe në Elbasan këtë të shtunë, protestë e cila nisi kundër ndërtimit në zonën e Zvërnecit duke kaluar në pika të...
19:32 | 06/06/2026

“Kosova është me Shqipërinë”, protestuesi nga Prishtina mban fjalim para Kryeministrisë

Një nga protestuesit që i është bashkuar protestës në Tiranë dhe fjalimit në foltoren e krijuar nga vet qytetarët vjen nga Kosova. Mes emocionesh, ai...
19:08 | 06/06/2026